Nga Edi Oga
Tirana ka rënë në qetësi.
Edhe qytetet e tjera, me përjashtim të atyre ku shkohet për të pushuar.
Qetësia ka pushtuar edhe median, e cila si rregull servir dhe amplifikon ngjarjet e politikës. Politika ka shkuar “me pushime”, po ashtu edhe pjesa më e madhe e gazetarëve dhe kontributorëve të medias. Ata që “punojnë”, thjesht mbajnë me gajret audiencën e tyre me lajme të kronikës, lajme “rozë” dhe ato të sportit.
Në fakt, korriku dhe gushti kështu kanë qenë nga mot, me premtimin e pambajtur asnjëherë që në shtatorin që vjen shpejt, do të ketë arrestime. Deri më sot, pushtetarët kanë pushuar të qetë në verë, sepse kurrnjeri prej tyre nuk është arrestuar as në shtator dhe as në ndonjë nga njëmbëdhjetë muajt e tjerë!
A po pushojnë të qetë këtë verë pushtetarët e sotëm dhe ata “të djeshmit”?
Dyshoj se jo!
Ashtu si minjtë që ndjejnë tërmetin dhe turrent të gjejnë vrimën nga do të dalin, edhe pushtetarëve tanë ua ka ndjerë “bytha lagështirën” dhe nuk po pushojnë aspak. Në këto ditë me temperatura djegëse, ata po lëvizin çdo gur të mundshëm që të gjejnë shpëtim.
Disa po lobojnë fort me miq të vjetër e të rinj, me para apo me shumë para, për t’i shpëtuar etiketimeve “të tmerrshme” të departamenteve të shteteve të fuqishme. Ata e dinë që pas “thyerjes së notës në sjellje”, në dyert e tyre troket drejtësia dhe eventualisht hapen dyert e burgut! Ata e kanë kuptuar se “fuqia” e tyre politike nuk ka asnjë vlerë përpara “superfuqisë”, andaj po bëjnë ç’të mundin që të shpëtojnë fillimisht lëkurën dhe në një stad të dytë, pse jo, edhe pasuritë!
A do t’ia hedhin edhe kësaj rradhe?
Urojmë dhe shpresojmë që jo!
Për të mirën e këtij vendi dhe të qyetarëve të tij, kush ka gabuar, kush ka shpërdoruar, kush ka abuzuar, kush ka vjedhur dhe ka grabitur, duhet të dalë përpara drejtësisë!
Ndërkohë të shqetësuar janë edhe ata që kjo verë i gjeti përsëri në pushtet. Ata kanë kuptuar se asgjë nuk do të jetë më si më parë, ndaj po përpiqen ethshëm që të jenë përsëri ministra, zëvendësministra, drejtorë drejtorish, deputetë, kandidatë për kryetarë bashkish në zgjedhjet e afrueshme lokale, kryetarë degësh të partisë në rrethe e qytete apo në çdo lloj posti që do t’u garantonte atyre sadopak “koperturë” poltike, megjithëse të vetëdijshëm që kjo gjë tashmë nuk “pi më ujë”. Zullumqarët thjesht duhet të presin radhën, nëse për ta ka një dosje mbi tryezën e një prokurori.
Në demokraci, sistemet politike ndryshojnë me zgjedhje të lira. Këtu tek ne, kjo nuk mund të ndodhë, ndaj duhet një mënyrë alternative. Në kohën dhe pozicionin gjeopolitik ku jetojmë, sistemet politike të korruptuara si ky yni nuk rrëzohen më me revolucion, as me puç ushtarak. E vetmja mënyrë është ndikimi i “fuqive madhore”, të cilat me sa duket, për interesat e tyre dhe për fatin tonë të madh, kanë vendosur që këtë ndikim ta konvergojnë tek një fuqi e gjithëpranuar universalisht, tek Drejtësia e Re!
Gjithandej ka rënë një qetësi, por është qetësi e rreme!
Është si qetësia përpara stuhisë!
Shirat e stuhive të kësaj vjeshte pritet të jenë të rrëmbyer dhe të marrin përpara toka, prona, vila, makina të shtrenjta dhe yachte, me brenda ata që i kanë vënë me patëdrejtë dhe që nuk dinë e nuk munden t’i fshehin më!
Nëse kjo nuk ndodh këtë vjeshtë, na mbetet të presim vjeshtën tjetër …ose asnjë vjeshtë tjetër!