Është zbuluar itinerari i kontejnerëve të “BanaKing” ku u kapën rreth 33.5 kg kokainë.
Mësohet se anija me kontejnerin e Zico CO ose “Banaking” nuk ka qenë në Maltë, por është nisur nga Ekuadori.
Më pas ka ndaluar në Cristobal, port në Panama, në Greqi dhe si përfundim ka shkuar në Goia Tauro në Itali dhe ka mbërritur në fund në portin e Durrësit, raporton News24.
Përveç Banaking në anije kanë qenë edhe kontejnerët e një kompanie tjetër që tregton banane.
Sinjalizimi për lëndën narkotike u mor nga partnerët, të cilët kanë informuar autoritetet shqiptare për një sasi të konsiderueshme kokaine.
Megjithatë deri tani janë zbuluar vetëm 33.5 kg kokaine dhe oficerë të anti-drogës e anti-kontrabandës kanë kaluar në skaner edhe kontejnerë të tjerë me banane nga i njëjti destinacion.
Për këtë arsye operacioni është ende në vijim dhe po vijon kontrolli i të gjithë kontejnerëve me banane që kanë ardhur nga i njëjti destinacion, për të verifikuar nëse ka sasi tjetër me lëndë narkotike, bazuar në informacionet që kanë marrë autoritetet shqiptare nga agjencitë partnere.