Nga Elis Buba/ Epika e një femre që s’mund t’ia përmend emrin

0
88
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kjo është një letër dërguar femrave që nuk ua përmend dot emrin. Fillon me Ajo, vijon me Ai e përfundon tek Ti. Të degjenerosh jetën, për të lartësuar një moral fallco, do të thotë të heqësh dritën e shpresës për nënat e reja e vajzat nëna, që dënohem me heqjen arbitrare të lirisë për të gëzuar jetën.

 

Ajo

Ajo nuk ka liri veprimi, liri mendimi, në plot raste liri fjale. Liri dashurie, liri zgjedhje, liri rroge.

Liri leje për të shijuar e qetë kohën kur do bëhet nënë, pa rrezikuar vendin e punës.

Ajo është vetëm edhe pse e rrethuar nga njerëz që e perceptojnë dhe ndjejnë si barrë.

Ajo është ushtari, heroi i panjohur. Që mban gjallë shpresën me luftën e saj të përditshme.

Ajo është e ngecur në një marrëdhënie të vdekur. Endërron divorcin edhe pse kjo e drejtë asaj nuk i lejohet.

Mendësia, jo e të panjohurve, por edhe e familjarëve e ngushton, duke e zënë të gjallë, në një çark ku dinjiteti i saj paloset e shuket për të qenë gjithnjë e më i vogël.

Ajo është një grua shqiptare. Eshtë gruaja tipike e këtij vendi. Detyruar të shkojë në shtrat me dikë që të tjerët e kanë dashur për të.

Ajo është personazhi i një drame. Por nuk derdh lotë, sepse ajo është zonjë dhe ka më shumë burrni se ai që i fle përkrah çdo natë.

Dua thjesht ta shoh të lumtur. Dhe lumturia e nënave të tilla është dëshira më e madhe që mund të djegë gjithë jetën e të majisë një plagë sociale që gangrenizon organismin e shoqërisë së lirë e prap të mos gjej zgjidhje.

Dua të të shoh të lumtur ty nënë foshnjesh, që t’i quajnë kopila për hiçgjë. Ndër të paktët njerëz mbi dhe’ që harron veten për të tjerët.

Këto fjalë të përkasin ty e le ti lexojnë të gjithë. Nënë e vetme, është një barrë e dytë.

 

Vërej me një dhimbje të jashtëzakonshme, se ka kaq shumë mungesë lumturie në marrëdhëniet njërëzore, sa shumkush rend të gjejë lumturinë, duke konsumuar energji ekstra për të përftuar një buzëqeshje jo të shtirur. Një rrahje drithëruese në krahëror.

 

Lëndohemi kaq shumë, sepse harojmë se i përkasim njëri-tjetrit. – Kështu ka shkruar Shën Tereza.

 

Por sikur të mos ishte kaq e thjeshte?! Sikur të mos ishin të gjithë të gatshëm t’i hynin rrugës së shenjtërimit dhe, tolerancës ekstreme deri në pikën e vetshkeljes? Po sikur të harronin se i përkasim njëri-tjetrit. Sepse ndonjëherë kjo lloj ujdisje e paqes me përdhunë, duket si një pakt me djallin. Ndaj liri larg nga nga Ai.

 

 

 

 

Ai

 

Tek ai po ndalem më gjatë, si stërmullari i mbrapshtësive jo vetëm bashkëshortore, por edhe sociale.

 

Jeton dhe sendërton realitetin shqipëtar ashtu siç e njohim. E shoh dhe nuk dua ta pranoj si pjesë e  kësaj kohe, sepse jeton mendërisht në mesjetë.

Posesiviteti, fanatizmi, xhelozia, dritëshkurtësia, tabutë, burojnë nga injoranca e tij, e familjes së tij dhe njerëzve që e rrethojnë. Ai vetë është si një defekt në aparat, një shembje e madhe në strukturën e normalitetit  dhe si e tillë duhet ndrequr. Ndreqja fillon nga vetedija, si një qënie tejet e privilegjuar në shoqëri, karshi gjinisë tjetër.

Ai duhet te kuptoje se mund te bëj një ndryshim gjigand, me një angazhim minimal.

 

Fill mbas 18 vjeçëve Ai, si kushdo, është madhor, ndaj jetën duhet ta marrë si i tillë.

Gjithçka në realitetin e tij çalon, falë boshllëkut frikësues të krijuar në arsim. Pasi shkolla perceptohet si një gjë për tu hequr qafe e jo një derë në të cilën hyn fëmijë i pagdhendur për të të dalë qytetar. Edhe pas daljes prej andej pikpamjet e tij janë të çartura, të shbalancuara.

Ai duhet të aftesohet të jetojë i pavarur, të respektojë jetën, të tjerët, qëllimet e tyre, qëllimet e aspiratat e vetvetes nëse ka vërtet.

 

Duke qenë nje detajist i kujdesshem vërej në jetës sociale të shqipfolësve, defekte kronike dhe mungesë të theksuar logjike e mullarë të mëdhej me dogma që të zënë poshtë për të të rrënuar jetën.

 

 

Për shembull, nuk ka një arsye logjike përse të gjithë duan të bëhen me shkollë të lartë, kur lexohet qartësisht se nuk e respektojnë e duan shkollën. Qartësisht kuptohet se nuk shfletojnë fare për të lexuar. E kjo kuptohet në mënyrën se si shkruajnë gjuhën e nënës.

 

Duken si subjekte gjeneraliste e të shteruara më herët. Por këtë herë e marr në shqyrtim në kontekstin më human të mundshëm.

 

Injoranca të kushton jetën. Injoranca të vret. E në mos fizikisht të mban gjallë, vetëm për të të vrarë pak nga pak. Mosdija është një kërpudhë e keqe në gjak. Ajo nuk të lë t’i shkosh deri në fund procesit të civilizimit të individit. Kësisoj mbetesh gjysmak. Mbetesh pre e propagandës dhe tabuve, miteve dhe legjendave të rrugës. Dëgjon e shikon sa andej këtej copëza të hapërdara jete, që të duken interesante e të drejta dhe i bën shembull për tu ndjekur në sendërtimin e hises tënde të jetës.

 

Unë, ti, ai, jemi Ai. Mashkulli që sjell dramën në jetën e të tjerëve, në jetën e femrës. Vetëm sepse nuk dimë saktësisht se çfarë të bëjmë me veten. Si të jemi versioni më oprimal e maksimal i njeriut, i vetes.

 

Dhe Ai seksin e mësoi nga televizori, familjen e mësoi ta dëshironte e dashuronte me detyrim, pa e ditur kontretisht pse. Vetëm si një pjesë e traditës e trashëgimisë e jo më tej. Vetëm sepse e kanë të gjithë, duhet ta ket edhe Ai.

 

Ai nuk doli kurrë nga veza. Gjithnjë nën hijen e babait e nënës. Në shtëpinë e tyre e në tryezën e tyre. Gjithnjë duke dëgjuar për “turpet” që bëjnë të tjerët e që nuk duhen kurrsesi bërë. Është sëmundje morale të shijosh moshën e pjekurisë pa gëzuar pavarësi totale.

 

Ai mund të jetë i lirë, por preferon kornizat. Preferon nderet, miqësitë dhe rehatet e favoret e kompromentimit të shpirtit. Pikërisht ky i fundit ka lejuar edhe shprishjen pak nga pak të gjithë shoqërisë shqipëtare. Kjo shoqëri e mbushur plot me burra të komprimentuar me pandershmëri e pafytyrësi. Lënë trashëgimi vetëm spermën e tyrë, mureve të hoteleve ku jetojnë mizerjen e lumturisë së tyre, teksa mbajnë skllave gruan e fëmijët në një burg hipokrizie të quajtur shtëpi. E vetmja trashëgimi që lënë është amaneti se përkundrejt çdo pyetje e vetmja përgjigje është paraja. Jep paranë dhe blen mish. Por jo dinjitet. E nëse dikush ka vërtet një të tillë në shoqërinë shqipëtare, është pikërisht Ajo.  Je pikërisht ti.

 

Ti

 

E tmerruar deri në palcë nga dhuna e Atij, e terrur në gjykim për faktin se si do mund të paragjykohesh nëse zgjedh lirinë. E përvëluar për të marrë frymë lirshëm e për tu ndjerë sërisht njeri. Ky është realiteti me të cilin ne burrat me Rr, rrethojmë jetët e grave përkatëse.

 

Sigurisht jo të gjithë janë kaq dritëshkurtër, por shpesh detyrohen të shtiren të tillë, shpesh u leverdis të bëhen të tillë, pasi ky realitet, është më i manovrueshëm ashtu. Pasi nëse sillen ndryshe u druhen syve të baballarëve e nënave. Syve të dogmës, që dikujt mund t’i kushtojë lirinë.

 

Jeta është vetëm një. Të perplas nga të katër anët,

Ama nëse ecën me mendjen e të tjerëve, ose vetëm me pervojat e flashkëta të të tjerëve, nuk shkon asgjëkundi, pikërisht sepse do ngatërrosh drejtimin e hapat e do përplasesh edhe më keq.

Nëse ndjek zemrën, gjithnjë del i fituar. Fitues është ai që nga qëllimet nuk tërhiqet.

 

Dhe këtu kam një fjalë jo më të tërthortë për çdo nënë të re, që ndihet e mbytur në realitetin e saj të zvogëluar nga mendësia e prapambetur që rëndom quhet mentaliteti shqiptar.

 

 

Ti duhet të kuptosh se kushdo që paragjykon deri në privim e lëndim, i ul mundësitë vetes për të qënë diçka më shumë se shtazë.

Dhe sigurisht që nuk e ka idenë çfare humbet, pasi diapazoni s’mund t’i shkojë më shumë se aq.

Ti je një njeri i mrekullueshëm, këtë e respektoj. I aftë për absolutish gjithçka.

Je një nënë e dedikuar që nuk dëshiron të jetë nën zgjedhën e një burri që nuk e do. Kjo është për tu duartrokitur.

Ti je një njeri që do liri, në një vend ku të mohohet. Je luftarake dhe kjo të quhet kokfortësi. Ti je femër e forte, e bukur, e zonja në gjithfarë dimensionesh. Je një femër që do të shijojë jeten me vërtetësi. Jo me skena e prapaskena. Do të dashurosh vërtete. Do të lëshohesh në krahët e një mashkulli që nuk të hedh poshtë kurrë. Kërkon të drejtën për ta jetuar jetën tënde me rregullat e tua. Pa asnjë dyshim që ky nuk është faj. Faj bëjnë ata që përpiqen të të bindin për të anasjelltën.

 

Më thoni pak çfarë ka për tu paragjykuar këtu? Çfarë nuk ka këtu për tu nderuar e adhuruar?

 

Ti po përjeton heqje lirie, heqje personaliteti dhe dëshirash shumë të thella.

Ti dhe kushdo si ti, meriton të jetojë me kokën lartë. Ti je heroinë. Je trime më shumë se çdo femër tjetër përqark teje. Ke guximin që një mashkull i vuajtur nga inpotenca mendore, nuk e gjen askund në vete.

 

Përreth teje gratë përkulen, lëshohen e kërrusen përkundrejt vullnetit të burrave.

Ti nuk pranon. Nuk duron dot të dhurosh diçka për të cilën kushdo duhet të punojë fort deri në frymën e fundit. Respekti.  Kjo jo vetëm nuk është për tu paragjykuar, por është për tu bërë shembull.

Vetëm kështu jetohet në paqe me veten dhe të tjerët.

 

Kjo qe më saktë, epika e etikës shembulore të një femre, që s’mund t’ia përmend emrin. Sepse unë, ti, ai, jemi Ai që kemi sjellë dramën në jetën e saj, vetëm sepse nuk dimë saktësisht se çfarë të bëjmë me veten.

 

 

 

 

 

 

 

Zjarr Tv Ad