Nga frika e Vettingut, dy prokuroret e Elbasanit japin dorëheqjen/ Armanda Xhaferrit iu zhdukën dosjet nga zyra, Ermira Tafani jepte para me fajde

0
65
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Armanda Xhaferri dhe Ermira Tafani, dy prokurore te Prokurorisë së Elbasanit, kanë dhënë dorëheqjen papritur nga detyra, shkruan newsbomb.al. Mësohet se dy magjistratet që kanë vite që shërbejnë në Elbasan, kanë dorëzuar dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Paraprakisht, bëhet me dije se arsyeja e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës mungon në të dy dokumentet e prokuroreve, por dyshimet janë se ato i kanë paraprirë procesit të vettingut. Të dyja prokuroret në fjalë janë të njohura për publikun, për disa episode që kanë ndodhur në vendet e tyre të punës.

Prokurorja Armanda Xhaferri: Në muajt e parë të vitit 2021, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kryeprokurori Olsian Çela i kishte kërkuar ILD-së që të niste një hetim disiplinor ndaj magjistrates Armanda Xhaferri. Kjo kërkesë bëhej pasi nga një monitorim i Prokurorisë, rezultonte se Xhaferri kishte zvarritur rreth 130 dosje hetimore, të cilat i përkasin periudhës nga viti 2016 e deri në vitin 2020.

Gjithashtu, pak muaj më parë prokurores së Elbasanit iu “zhdukën” nga zyra disa dosje të rëndësishme hetimore. Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se prokurorja e Elbasanit, Armanda Xhaferri nuk ka kryer thuajse asnjë veprim hetimor për 66 procedime penale të vitit 2020, 39 të tillë për vitin 2019, për 18 procedime të vitit 2018 dhe dy që prej vitit 2016. Ajo rezulton të mos ketë kryer veprime hetimore edhe për 5 raste të hetimit pasuror, të cilat i ka pasur në ngarkim gjatë vitit 2020.

Prokurorja Ermira Tafani: Ermira Tafani, prokurore më shumë se 21 vitesh në Elbasan, ka qenë një nga kandidatet për zëvendësimin e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Emri i saj u lakua në media, me dyshime se ishte e përfshirë në një skemë ko*rrupsioni. Në 31 janar 2017, emisioni investigativ “Stop” transmetoi një rast kor*ruptiv, kur një oficer i policisë gjyqësore në Elbasan mori nën dorë 2000 euro, për lirimin e një personi nga paraburgimi. Këto para, sipas tij, duheshin për prokuroren Ermira Tafani dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu.

Prokurores nuk i mungojnë depozitat e majme bankare, madje bashkëshorti rezulton të ketë dhënë para me fajde një firmë ndërtimi në Pogradec, shkruan newsbomb.al. Sipas asaj që ka deklaruar, bashkëshorti i kishte marrë 3.000.000 lekë motrës së tij për t’ ia dhënë me interes një firme ndërtimi, prej të cilit ka marrë 4.000.000 lekë, përfshirë dhe interesat.

Zjarr Tv Ad