Nga Kastriot Islami: Transparenca e mesazheve, deklaratave për “non grata”

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Janë të njohura nga publiku përmes medies dy të “vërteta”. Njëra ka të bëjë me vizitën e të dërguarit të DASH në Tiranë dhe mesazhin e tij të dhënë në takimin me kryetarin e PDSH për përjashtimin e “non gratës” nga grupi parlamentar i PD. Dhe e dyta ka të bëjë me “vendimin apo deklarimin” të kryetarit të PDSH për largimin nga grupi i PD-së të ish-kryetarit të PDSH-së bashku me argumentet e dhënë mediatikisht. Këto dy të “vërteta” (po i cilësoj të tilla duke supozuar se ato janë reale), ende mesa kam dijeni, s’janë formalizuar apo arkivuar…

Gjithçka më poshtë na e kanë mësuar, madje duke na e vënë edhe si “kusht” për ndërtimin e demokracisë, drejtuesit e lartë apo ekspertët perëndimorë, amerikanë e europianë, në takime e seminare të rëndësishme. Funksionimi i shtetit ligjor në çdo qelizë të institucioneve të shtetit shqiptar është një nga kërkesat themelore të vendosura nga vendet e NATO e BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Pra kjo, pavarësisht mentalitetit tonë të përgjithshëm për t’i realizuar shumë gjëra “fshatçe”, konsiderohet shumë e rëndësishme në vendet demokratike perëndimore që vendimet e funksionimi i shtetit demokratik të realizohen vetëm duke zbatuar në çdo hap shtetin ligjor…

Në partitë politike funksionimi i shtetit ligjor ndër të tjera lidhet me hartimin, miratimin e zbatimin rigoroz të një statuti demokratik përmes forumeve partiake dhe vendimmarrjeve transparente e me votë të lirë. Transparenca, depozitimi e arkivimi i vendimeve partiake kryhet me rigorozitet në çdo vend të NATO-s për të garantuar edhe respektimin e të drejtës së çdo individi për t’u ankimuar për çdo vendim të forumeve partiake. Vetëm kështu garantohet sovraniteti i një partie politike, që lidhet me respektimin e shtetit ligjor në parti, i cili e ka bazën te respektimi i statutit, të forumeve partiake dhe votës së lirë përmes së cilës kalojnë të gjithë vendimet…

Për vendimin për largimin nga parlamenti të personit të shpallur non-grata nga administrata e partnerit të madh e të padiskutueshëm të shqiptarëve SHBA kërkojnë transparencë. Nga njëra anë, çështja e shpalljes non-grata, e argumenteve përkatës dhe procedurës, ndonëse do të ishin interesante për shqiptarët, duke qenë një çështje tërësisht e brendshme e vetëm administratës amerikane, s’janë kërkuar dhe do të ishte e gabuar të kërkoheshin nga qytetarët… Por nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë duan të njohin me të drejtë dokumentin\kërkesën formale, ose thënë ndryshe ose vendimin apo mesazhin me shkrim të të dërguarit të administratës amerikane, për “përjashtimin e non-gratës nga kuvendi” (një kopje e tij nëse është kështu duhet të depozitohet me shënimin ‘Top Secret’ në arshivën e PD) apo transmetimin me gojë të një vendimi të marrë në administrata amerikane. Sepse kjo ka të bëjë me respektimin e shtetit ligjor në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s. Fillimisht duhet bërë transparente nëse bëhet fjalë për një dokument formal që ka “depozituar” i dërguari i DASH apo nëse bëhet fjalë thjesht për transmetim të një vendimi përmes një “kërkese gojore” për përjashtimin e non-gratës nga Kuvendi. Nëse është kjo e dyta, atëherë duhet të zbardhet takimi i kryetarit të PD me të dërguarin e DASH dhe një kopje e firmosur nga kryetari i PD apo një person tjetër i caktuar prej tij e materialit të zbardhur nga takimi, dhe me tej ky material duhet të depozitohej formalisht me shënimin “Top Secret” në arshivën e PD. Pra çfarëdo ka sjellë apo ka transmetuar i dërguari i DASH, me shkrim apo më gojë, për përjashtimin e personit “non grata” nga parlamenti duhet të depozitohet formalisht në arshivën e PD. Kjo është kërkesë e shtetit ligjor që nuk do të mund të anashkalohej nga asnjë vend i NATO-s. Nëse kjo s’do të ndodhte, atëherë e vërteta e parë do të vihej në dyshim…

Bazuar në të “vërtetën e parë” dhe argumentet e dhëna apo provat/faktet e transmetuara, është marrë një vendim nga kryetari i PD, pra e vërteta e dytë ka të bëjë me “vendimin” gojor apo qëndrimin e shpallur publikisht nga kryetari i PDSH për përjashtimin e “non-gratës” nga kuvendi që “pretendohet” është marrë mbi bazën e së “vërtetës së parë” të sjellë/artikuluar nga zyrtarë të rëndësishëm të DASH së bashku me dosjen e fakteve/provave. Për më tepër, në vijim të “vendimit” të pretenduar (që duket se s’është vendim dhe për rrjedhojë do të ishte me efekt nul nga këndvështrimi i respektimit të shtetit ligjor në çdo vend anëtar të NATO-s) i është bërë kërkesë kryetares së Kuvendit që bazuar në këtë “vendim” personi “non-grata” të mos “lejohet” të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD. Përderisa s’ka asnjë material formal, në formë të shkruar, ku të ishin vendosur argumentet ligjorë të përjashtimit, referencat ligjore mbi të cilat është marrë ky vendim dhe institucioni vendimmarrës i përcaktuar sipas statutit, mund të thuhet se vendimi sipas kërkesave të shtetit ligjor s’ekziston. Mund të ketë deklarim apo qëndrim gojor por përderisa s’ka formën e një vendimi, sipas të gjithë kërkesave të shtetit ligjor në një vend të NATO-s, ai është pa asnjë efekt. Kjo do të bënte të pavlefshme edhe kërkesën ndaj kryetares së Kuvendit…

Edhe diçka tjetër. Është deklaruar se “vendimi”/deklarata/qëndrimi për përjashtimin bën fjalë vetëm për përjashtim të përkohshëm derisa në gjykatë personi të provojë të vërtetën; kjo bien në kundërshtim flagrant me nenin kushtetues për prezumimin e pafajësisë duke ligjëruar kështu “prezumimin e fajësisë”…

Zjarr Tv Ad