Gazeta më e madhe austriake Krone u hap dje me një shkrim denoncues mbi dy faqe për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.
Një dëshmitare u tha se kishte folur në anonimitet, edhe për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë nga Meta e Kryemadhi, ndërsa denoncoi sipas saj një aferë prej 700 mijë eurosh të presidentit Meta, i cili kishte lobuar përmes një kompanie guackë në Qipro për një foto me presidentin amerikan Donald Trump.
Kryetarja e LSI, Kryemadhi ka aluduar se shkrimi mund të jetë paguar nga pronarët e inceneratorëve të cilët sipas saj po kërkojnë azil në Austri.
Por gazeta Dita raporton se bëhet fjalë për Vjosa Ismailajn, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, biznesmeni i burgosur për aferën CEZ-DIA.
Arrestimi dhe dënimi i Kastriot Isnailaj lidhet me atë që njihet në publik si skandali CEZ-DIA, por Ismailaj është gjithashtu personi i përgjimit të denoncuar kohë më parë, ku aludohej se Meta kërkonte 200 mijë euro për fushatë.
Vojsava Ismailaj, e cila është larguar tashmë nga Shqipëria, është marrë gjithashtu në pyetje në 2015 nga Prokuroria, në kuadër të një hetimi të hapur pas deklaratave të ashpra publike mes Ilir Metës dhe Tom Doshit mbi një “komplot për vrasje”.
Në një intervistë të vitit 2019, ajo do të deklaronte:
Zonja Vojsava përse keni vendosur të largoheni jashtë Shqipërisë?
Jam larguar nga Shqipëria, sepse pas arrestimit të bashkëshortit tim, Kastriotit, jam ndjerë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga pushteti, d.m.th njerëz të veshur me pushtet. Çështjet për të cilat ai po hetohet janë madhore, janë çështje ku janë përfshirë dhe përfolur emra shumë të pushtetshëm të politikës shqiptare dhe unë si bashkëshortja e tij kam ndjerë se ne si familje mund të jemi të rrezikuar nga presione të njerëzve të pushtetshëm që nuk do të dëshironin që Kastrioti të sqaronte shumë detaje gjatë hetimeve që po kryhen ndaj tij.
Ka pasur direkt dhe indirekt kërcënime. Persona të njohur të mi dhe të Kastriotit, më kanë thënë: Kastrioti të tërhiqet nga Arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte, direkt më kanë kërcënuar persona të panjohur për jetën time dhe të djalit tim, më kanë ndjekur dhe ruajtur gjatë gjithë kohës persona të ndryshëm, kudo ku unë shkoja, para shtëpisë etj.
Në dijeninë tuaj, cila është arsyeja që prokuroria rinisi hetime, të cilat i kishte pushuar më parë?
Për Kastriotin, por edhe për mua, ishte e qartë se ngritja e këtyre akuzave dhe rifillimi i hetimeve ndaj Kastriotit, pasi hetimet ndaj tij ishin pushuar 3 herë në të shkuarën, kishin si qëllim vetëm ta sulmonin, për shkak të arbitrazhit të filluar në Vjenë.
Pra, Kastrioti duhej penguar me çdo kusht në vijimin e arbitrazhit, jo vetëm për shkak të shumës së kërkuar, por kryesisht për shkak të informacioneve që po dilnin gjithmonë e më shumë gjatë procesit të arbitrazhit. Avokatët e të dyja palëve kishin filluar të paraqisnin gjithmonë e më shumë detaje para Gjykatës së Arbitrazhit dhe me sa duket kjo duhej të ndalonte, pasi përfshiheshin persona të pushtetshëm.