Nga pirja e alkoolit tek konsumi i kanabisit e shëndeti mendor, pyetjet delikate për kandidatët për deputetë të PD

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike ka hyrë tashmë në një proces delikat të përgatitjes së listës së deputetëve. Të gjithë emrat që kërkojnë të jenë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë në PD. Një formular me rreth 40 faqe do të plotësohet nga të gjithë kandidatët.

Pyetjet janë nga ato më të thjeshtat, deri ato më delikatet, për jetën private apo pasurinë e kandidatëve. Secili prej personave që plotëson formularin duhet të tregojë nëse ka ndryshuar ndonjëherë emrin ose mbiemrin dhe arsyen se përse e ka bërë. Pyetësori merr informacione edhe për tre miq të ngushtë të kandidatit, të cilët kanë informacion të detajuar rreth tij dhe duhet të kenë njohje së paku 7 vite. Kandidati duhet të rendisë të paktën 3 emra dhe të dhënat bashkëshoqëruese. Ndërsa më tej, formulari kërkon informacion për aktivitetet jashtë Shqipërisë dhe njohjet jashtë vendit.

Formulari që duhet të plotësojnë kandidatët kërkon edhe informacione, të cilat po i konsiderojmë si delikate, pasi kërkohet nëse personi që e plotëson atë ka pasur apo jo ndonjëherë probleme mendore dhe a ka kërkuar konsultim me psikologun apo psikiatrin. Po ashtu, PD-ja kërkon të marrë informacion nëse kandidati ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike apo nëse ka tregtuar dhe kultivuar ndonjëherë më parë lëndë narkotike. Një tjetër pyetje lidhjet me konsumimin e alkoolit në atë masë sa të jetë bërë problem për mbarëvajtjen në punë.

Më tej, formulari i PD-së mbledh informacionet që kërkon formulari i dekriminalizimit në shtet, që lidhen me gjendjen gjyqësore të kandidatit. Përpos të dhënave në pastërtinë e figurës, përmes këtij procesi PD-ja kërkon të marrë informacionin e nevojshëm për kandidatin në lidhje me arsimimin, eksperiencat në punë dhe marrëdhëniet me kolegët. Në formular nuk mungojnë pyetjet për çështjen e pasurisë.

“Përshkruani hollësisht: llojin, sipërfaqen, adresën ku ndodhen, vitin e krijimit, vlerën në lekë apo në valutë që pasqyrohet në dokumentacionin që dispononi, çmimin e blerjes, në mungesë të dokumenteve shumën e shpenzimeve që keni kryer, pjesën takuese që zotëroni dhe burimet e krijimit të çdo lloj pasurie të regjistruar ose jo në regjistrat publikë.

Objekt i deklarimit sipas kësaj pjese janë të gjitha pasuritë e akumuluara ndër vite deri në datën e dorëzimit të këtij formulari, burimet e krijimit të tyre dhe të drejtat reale mbi to, të ndodhura brenda dhe jashtë vendit”, thuhet ndër të tjera në formularin e deklarimit të PD-së. Kandidatët, të cilët nuk i përgjigjen qoftë edhe një pyetjeje të vetme në formular, u hiqet e drejta për të qenë pjesë e garës për deputetë. I gjithë ky proces pritet të përfundojë deri në fund të shtatorit.

Zjarr Tv Ad