Nga ulja e përkohshme e pagës te vërejtja publike e pezullimet, zbardhen masat disiplinore ndaj gjyqtarëve për vitin 2021. Ulet numri i dosjeve në Gjykatën e Lartë

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

MARIGLEN KUME/ Gjykata e Lartë ka nisur të ulë numrin e dosjeve që janë të mbartura nga vitet e kaluara, por përparimi mbetet shumë i ulët.

Gazeta “Panorama” ka zbardhur raportin vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësorë që do të prezantohet në Kuvend para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku vërehet se pas rikthimit në funksion të Gjykatës ka një përparim të ulët në aspektin e uljes së numrit të dosjeve stok, por megjithatë ky përparim mbetet i ulët.

Nëse vijohet me këtë ritëm, shqiptarëve do t’u duhen 35 vite afërsisht për të marrë drejtësi në Gjykatën e Lartë, ndërsa nëse trupa gjykuese plotësohet, atëherë sipas këtij ritmi do duhet afërsisht 5 vjet.

“Gjykata e Lartë e ka filluar vitin 2021 me një total prej 36 288 çështjesh në pritje të gjykimit. Ky volum është kryesisht i trashëguar nga vitet e mëparshme pasi stoku i çështjeve në pritje të gjykimit, shënon një rritje prej 1 768 çështjesh, që do të thotë vetëm 5% më i lartë se backlog-u i vitit 2020. Për herë të parë në 4 vitet e fundit, Gjykata e Lartë shënon një të dhënë pozitive në lidhje me backlog-un e saj.

Falë masave të marra për rritjen e eficiencës dhe plotësimin e organikës, më në fund është shënuar ulja e parë e backlog-ut. Në fund të vitit 2021, backlog-u i Gjykatës së Lartë ka shënuar vlerën 35 822 çështje, 1% më i ulët se në fillim të vitit”, thuhet në raportin e KLGJ.

NATYRA E ÇËSHTJEVE

Ndërkohë, çështjet civile përbëjnë pjesën më të madhe të stokut të dosjeve. “Në lidhje me natyrën e çështjeve në pritje të gjykimit, të dhënat statistikore tregojnë se 51% e stokut të Gjykatës së Lartë përbëhet nga çështje të natyrës civile. Vërehet se numrin më të vogël të çështjeve e zënë çështjet penale. Kjo e dhënë shpjegohet me faktin se në çështjet penale, për shkak të natyrës së tyre dhe kufizimit të lirisë së personave në pritje të gjykimit, parashikohen afate shqyrtimi, kalimi i të cilave sjell parregullsi në shqyrtimin gjyqësor.

Në vitin 2021 janë regjistruar në Gjykatën e Lartë 2 859 çështje të reja për t’u shqyrtuar. Në krahasim me një vit më parë, shënohet një ulje prej 12% të çështjeve të reja, e cila shkaktohet kryesisht nga rënia drastike me 59% e çështjeve administrative dhe një rritje jo domethënëse e çështjeve civile (7%). Sa i përket natyrës së çështjeve të paraqitura në Gjykatë gjatë vitit 2021, në vend të parë janë çështjet civile (1 333 çështje), të cilat përbëjnë 47%. Vendin e dytë e zënë çështjet penale (967 çështje) ose 34% dhe në fund çështjet administrative (559 çështje) me vetëm 19% të çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë gjatë vitit të raportimit”, vijon më tej raporti.

MASAT DISIPLINORE

Në dokumentin me 120 faqe që është depozituar në Kuvend raportohet edhe për masat disiplinore që KLGJ dhe ILD kanë marrë për gjyqtarët. Të bien në sy masat modeste ku vihet re ulja e pagës për gjyqtarët apo vërejtjet publike.

“Gjatë ushtrimit të veprimtarisë në kompetencë të tij, Komisioni Disiplinor ka kaluar për shqyrtim në Këshillin e Lartë Gjyqësor 10 (dhjetë) procedura disiplinore për gjyqtarë. Në vijim të procedurave, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbyllur me vendim përfundimtar 6 (gjashtë) procedura disiplinore, nga të cilat: për 1 procedim të filluar gjatë vitit 2021 është vendosur masa “Vërejtje publike”; për 1 procedim të filluar gjatë vitit 2021 është vendosur masa “Ulje e përkohshme e pagës”; për 1 procedim të filluar gjatë vitit 2021 është vendosur masa “Pezullim nga detyra”; për 3 procedime, një e filluar në vitin 2020 dhe dy të filluara gjatë vitit 2021 është vendosur masa “Shkarkim nga detyra”. për 4 (katër) procedimet e tjera disiplinore, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka proceduar me dhënien e vendimeve jo përfundimtare”, vijon më tej Raporti.

Ndërkohë, konstatohet me shqetësim mungesa e interesit të gjyqtarëve për të aplikuar në gjykatat e thjeshta për të plotësuar vendet e lira. Ajo që vihet re si në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë është interesi i ulët që kanë treguar gjyqtarët për të aplikuar në pozicionet e lira të shpallura në këto gjykata. Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u hapën gjatë vitit 2021 5 pozicione të lira, për të cilat kanë kandiduar 4 kandidatë.

Për sa u përket emërimeve, gjatë vitit 2021 janë emëruar 4 kandidatë, nga të cilët tre kishin aplikuar për 3 vendet e lira të hapura gjatë vitit 2020 dhe një kandidat është emëruar për një vend të lirë të hapur gjatë vitit 2021. Ndërkohë që vijon procedura për 4 pozicione të lira”, vijon më tej raporti.

Zjarr Tv Ad