Ngërçi me Kushtetuesen, Ambasada e ShBA-së: Ti dërgohet për opinion Venecias

0
7
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ambasada e ShBA-së në vendin tonë propozon që çështja e Gjykatës Kushtetuese ti dërgohet për opinion Komisionit të Venecias.

Në një deklaratë të postuar në faqen e saj zyrtare në facebook, Ambasada thotë se Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi.

Megjithatë, nënvizon Ambasada,  ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor” propozon Ambasada.

Ambasada e ShBA-së nxit palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias.

“Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”.

Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara  theksojnë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat.

“Reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian” përfundon deklarata.

Reagimi i ambasadës së ShBA vjen pas një serie takimesh konsultative të thirrura nga presidenti Meta me përfaqësues politik, ish-presidentë, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që janë angazhuar në monitorimin dhe implementimin e reformës në drejtësi.

Zjarr Tv Ad