Një ngjarje e rëndë sapo ka ndodhur në Shkodër, në lagjen “Tophane”, ku zjarri ka përfshirë një banesë, e për pasojë ka mbetur i djegur brenda një i moshuar.
Mësohet se viktimë ka mbetur 72-vjeçari Musa Pajati, i cili ishte i sëmurë dhe i paralizuar.
Gazetari Senad Nikshiqi rrëfen dëshminë rrëqethëse nga banorët e lagjes, të cilët tregojnë si e shpëtuan gruan, por që nuk mundën të nxirrnin nga flakët të moshuarin.
“Ishin burrë e grua, pa fëmijë, pa askënd në botë. Janë djegur disa herë, askush nuk ka vënë dorë, as shteti, as bashkia. Të dy janë sakatë, unë e shpëtova atë grua, nuk munda më të duroja, ai plaku plasi i shkreti. Vdekja e tyre është me dashje, me qëllim, sepse nuk kanë dashur të vënë dorë. Këta ishin të sëmurë, pa këmbë e pa duar. Shkoni e shikoni edhe gruan, ajo ka qenë grua zonjë, e njoh, por s’i ka falur Zoti fëmijë dhe i kanë lënë këtu për të vdekur. Nuk kanë asgjë”, shprehet banori i lagjes.
Ndërkohë, shefi i teknikës i OSHEE, Paulin Qarri, shprehet se ngjarja nuk ka ndodhur nga energjia elektrike.
“Nuk ka asnjë defekt prej elektrikut, zjarri ka ardhur nga gazi. Absolutisht nuk ka qenë shkak energjia elektrike. Kemi kontrolluar automatët, i ka ulur elektricisti në momentin që janë lajmëruar. Prej elektrikut nuk ka asnjë lloj problem”, thekson ai.