Nis seanca për lobimin e 675 mijë dollarëve në SHBA, Basha përfaqësohet nga avokatët

0
154

Gjykata e Tiranës nisi sot seancën paraprake per dosjen  ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të larte të PD-se për ceshtjen e e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shefi i opozitës, Lulzim Basha, është dërguar zyrtarisht i pandehur në gjykatë për akuzën e falsifikimit të formularëve, lidhur me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shumën e 675 mijë dollarë.

Në të njëjtën dosje e për të njëjtën akuzë janë marrë të pandehur edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, dhe shefi i financës së këtij subjekti politik, Ilir Dervishi. Prokuroria vendosi të pushojë akuzën e pastrimit të parave me lobim rus, që ngriti muaj më herët ndaj shefit të opozitës dhe dy zyrtarëve të tjerë të djathtë.

Seanca e sotme do të kryesohet nga gjyqtari Lazër Sallaku, ndërsa mësohet se vetë kryedemokrati, është përfaqësuar në Gjykatë nga avokatët Eduart Halimi dhe Ivi Kaso.

Kujtojmë se Prokurorët Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kane qene te ndare sa i takon dërgimit të dosjes në Gjykatë. Kërkesa për gjykim, është firmosur nga prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako, ndërsa prokurori i tretë, Kol Hysenaj, ka refuzuar ta firmosë atë. Prokurori Hysenaj ka qenë i mendimit se hetimet duheshin vijuar, ndërsa kolegët e tij firmosën që çështja të dërgohej për gjykim.

Hetimet për këtë çështje nisën kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, pas një shkrimi të revistës amerikane, Mother Jones, e cila hidhte dyshime të forta se kompani të lidhura me shtetas rusë kishin financuar në favor të Partisë Demokratike. Referuar deklarimeve të kompanisë së lobistit Nik Muzin, rezultonte se ajo kishte marrë tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Njëra nga pagesat është bërë nga kompania Biniata Trade, e regjistruar në Skoci, e krijuar si partneritet i dy kompanive të tjera, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, aksionet e të cilave zotërohen nga shtetas rusë.

Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së nuk i kanë deklaruar këto pagesa, por vetëm një shumë prej 25 mijë dollarësh, e për këtë shkak duhet të përgjigjen për falsifikimin e formularëve.