Nis shpërndarja e certifikatave të pronësisë në Himarë e Palasë, Lame: Janë regjistruar 3 766 prona

0
39
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në kuadër të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në Bregdetin e Jugut, këtë fundjavë ka përfunduar ky proces në Himarë dhe Palasë. Kreu i Kadastrës Artan Lame, ishte në Himarë për të njoftuar mbylljen e këtij procesi dhe fillimin e lëshimit të certifikatave të pronësisë për banorët e këtyre zonave.

Janë 3766 pasuri të paluajtshme që ju nënshtruan procesit të regjistrimit, toka bujqësore të përfituara me ligjin 7501, banesa dhe objekte shërbimi, ndërtime para 1991, prona të tjera të rezultuara si rezultat i zbatimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të opronave, si edhe prona shtetërore dhe bashkiake.

Ajo që e bën të veçantë këtë proces në Himarë, është fakti që për herë të parë në historinë e saj qindravjecare, procesit të regjistrimit ju nënshtruan edhe banesat e vjetra të lagjeve të banuara brenda kalasë së Himarës. Mjafton të përmenden këtu fiset e vjetra që gjenden në listat e përgatitura nga Kadastra për të përfituar nga ky proces, si Rondo, Milo, Bollano, Varfi, Dhima, Qirici, etj.

Certifikata e parë e Himarës ju dorëzua z. Klearko Zaho Likoka, një banori 91 vjecar të lagjes së Kalasë, aktualisht me banim në SHBA dhe i cili kishte ardhur që përtej oqeanit për të tërhequr certifikatën e pronës së tij.

Lame theksoi se “procesi ka qenë shumë i vështirë dhe për këtë flet fakti që vetëm për Himarën u shqyrtuan rreth 400 ankesa të banorëve vendas, me qëllimin që askush të mos thojë nesër që më është cënuar prona”. Ai nënvizoi se nga dita e hënë të gjithë këta qytetarë që kanë pasuri në këtë dy zonat kadastrale mund të aplikojnë për t’u pajisur me certifikatë pronësie”, tha Lame.

Regjistrimi fillestar në Jug është nisur edhe dy herë të tjera përgjatë viteve 2000 dhe 2010, por të dy herët ka dështuar. Kjo qoftë për shkak në korruptimit të procesit dhe qoftë edhe si pasojë e mungesës së vullnetit për ta kryer atë. Veç këtyre faktorëve, në këto zona edhe ndikimi i partive të minoritetit grek ka qenë i madh, duke u përpjekur që përmes moszgjidhjes së problematikave të pronësisë, të mbahet i lidhur komuniteti vendas.

Në bashkëbisedim me Kryetarin e Bashkisë, Jorgo Goro, Shefi i Kadastrës Lame diskutoi për ndihmën që mund të ofrojë Bashkia si kontakt vendas me banorët, për të kryer aplikimet on-line në e-albania për lëshimin e certifikatave elektronike të pronësisë.

Lame u ndal edhe tek një përmbledhje e shërbimeve kadastrale të ofruara në Jug që prej fillimit të regjistrimit të pasurive atje. Ai tha se “janë 37.609 shërbime që u janë dhënë qytetarëve në këto dy vjet vetëm për zonën e bregdetit”. Nëse Jugu po përjeton lulëzimin e ndërtimeve turistike, kjo gjë si hap të parë ka ç’bllokimin e situatës pronësore, për të cilën flasin edhe shifrat e dhëna më sipër.

Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro tha se ky proces lidhet edhe me investimet në qytet, duke ndihmuar në procesin e shpronësimeve lidhur me disa projekte që ka Bashkia, si impianti i përpunimit të ujrave të zeza, apo shëtitorja bregdetare e Plazhit të Livadhit.

Zjarr Tv Ad