Nis viti i ri shkollor, 9500 lekë kostoja mesatare për rikthimin në banka! Rritja më e madhe e çmimeve është te fletoret

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rritja e inflacionit reflektohet në një rritje të kostos së rikthimit të fëmijëve në shkolla. Tashmë, familjeve me fëmijë duke u rritur dhe me kuleta duke u zvogëluar, do t’i duhet një kosto minimale prej 9500 lekë për rikthimin.

Nëse keni një fëmijë që kthehet në shkollë, një gjë është e sigurt: kur bëhet fjalë për koston, blerja e furnizimeve që u nevojiten nxënësve mund të shtohet shpejt.Dhe për shkak të inflacionit, shkruan “Monitor”, disa prindër po rregullojnë sjelljet e tyre të blerjeve për t’u siguruar që fëmijët të kenë atë që u nevojitet.Marrja e furnizimeve për kthimin në shkollë është diçka që disa prindër tani duhet ta planifikojnë me kujdes.Për prindërit që tashmë rishikojnë buxhetet për të paguar për ushqimin, karburantet, furnizimi me mjete shkollore do të jetë pak më i vështirë këtë vit.Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet kanë shënuar rritje rreth 25% krahasuar me vitin e shkuar. Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në shkollën e mesme thonë se planifikojnë të shpenzojnë gati 30 mijë lekë për blerje këtë vit, duke përfshirë veshje, këpucë, duke përjashtuar pajisjet elektronike. Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë dhe t’i riblejnë gjatë vitit si produkte konsumi.

Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre është tkurrur, duke e argumentuar me uljen e numrit të fëmijëve dhe rritjen e bizneseve që tregtojnë mjete shkollore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë.

KOSTOT

Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime deri në 6000 lekë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9-vjeçar, pasi cikli fillor deri në klasën e pestë, librat i merr falas.Megjithatë, duke qenë libra të përdorur, shpesh prindërit e këtij cikli sërish i blejnë, kosto e të cilave mund të variojë deri në 4000 lekë. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije.Lapsat, fletoret, bojërat dhe letrat me ngjyra, janë pjesa tjetër e domosdoshme që duhet të blihen dhe u nevojiten.

Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve shkon rreth 4000 lekë për çdo fëmijë.Kjo, duke llogaritur një kosto fillestare, sepse gjithmonë ka produkte që nevojiten në vijimësi të procesit mësimor. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës. Çmimi i tyre varion nga 1,500-10,000 lekë. Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t’u shtojmë edhe çmimin e veshjeve, vihet re rritje çmimesh, në varësi të markave.

Për shkollat private, kosto e konsiderueshme është ajo e uniformave, si dhe paketa e librave, të cilat janë kryesisht jashtë tarifës zyrtare të shkollës.Rritja më e madhe e çmimeve është te fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletoreje të vogël para pandemisë ishte 29 lekë, tani për të njëjtën fletore paguani 39 lekë. Fletoret me cilësi më të mirë, të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim 50-80 lekë, tani janë rreth 150 lekë. E njëjta gjë ndodh edhe me stilolapsat apo edhe mjetet e tjera shkollore, që konsiderohen të rëndësishme dhe të domosdoshme.

Kancelaritë pohojnë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale më të lira dhe më të shtrenjta.Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 9500 lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë blerë në tregje dhe jo në dyqane më cilësore.Kjo kosto e ditës së parë ka rritje prej 10% krahasuar me përllogaritjen e një viti më parë, të bërë nga “Monitor”.

INSTAT

Ky vit akademik është bërë më i shtrenjtë për të gjitha nivelet e studimit. Librat dhe mjetet shkollore kanë kushtuar më shumë që nga shtatori 2018.Edhe shërbimet arsimore gjatë 2018 kanë shënuar rritje krahasuar me vite më parë. Ndikimin më të madh në këtë rritje e patën mjetet shkollore dhe librat në ciklin 9-vjeçar nga klasa e 5-të deri tek e 9-a.

Zjarr Tv Ad