Presidenti Bujar Nishani mori pjesë si i ftuar nderi dhe folës kryesor në Konferencën Vjetore të Institutit për Diplomaci Kulturore në Berlin, me temë: “Promovimi i të Drejtave Globale të Njeriut përmes Diplomacisë Kulturore”, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm politikanësh dhe akademikësh evropianë, por jo vetëm.
Në fjalën e tij Nishani e konsideroi diplomacinë kulturore një vlerë të shtuar veçanërisht në çlirimin e shoqërive të sotme nga paragjykimet raciale e fetare, si dhe nga keqkuptimet kulturore dhe etnike, por edhe si një instrument që mund të kontribuojë për promovimin e vlerave më të mira njerëzore dhe për realizimin shumë më mirë se deri tani të të drejtave themelore të njeriut.
Gjithashtu, duke folur për progresin e bërë në 25 vitet e fundit të demokracisë, Presidenti Nishani solli për auditorin edhe dhunimin mizor që kishte përjetuar shoqëria shqiptare për rreth 45 vjet nën diktaturën komuniste, ku përtej mohimit të të drejtave më themelore, regjimi ndaloi me ligj absurd fenë dhe të drejtën për të besuar, duke e shpallur Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, Presidenti Nishani ia kushtoi traditës dhe eksperiencës shumëshekullore shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë mes komuniteteve fetare, duke theksuar se prezenca e besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri është pjesë e identitetit shqiptar dhe nuk ka cenuar asnjëherë orientimin evropian dhe euroatlantik të vendit.
Nishani e njohu auditorin me angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar, si në nivel rajonal, por edhe më gjerë, nëpërmjet vlerave të harmonisë dhe tolerancës që e karakterizojnë, por edhe për përkushtimin për fqinjësi të mirë e bashkëpunim.
Në fund të fjalës, Presidenti Nishani iu përgjigj interesit të auditorit mbi aspekte të ndryshme, ku një vend i veçantë iu kushtua zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por dhe zhvillimeve tragjike aktuale në Siri e vende të tjera në konflikt, ku jeta dhe e drejta për të jetuar në paqe dhe siguri janë dhunuar dhe vijojnë të dhunohen në sy të të gjithë botës.