Nishani: Rama e ktheu PD-në në një kioskë teneqeje ku vlera më e madhe ishte një makineri ku numëroheshin paratë!

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani akuzon kryeministrin Edi Rama se e ktheu Partinë Demokratike në një kioskë teneqeje ku vlera më e madhe ishte një makineri ku numëroheshin paratë!

Nishani komenton Kongresin e PS-së në një postim në “Facebook”, ku shkruan se “në kontekstin praktik, të asaj që ndodhi ishte një skandal i rëndë politik, por që në kushtet kur përjetojmë skandale pas skandalesh prej 10 vitesh, rreket të ikë pa u ndjerë edhe ky perversitet i radhës prej Edi Ramës”.

Ai deklaron se kryeministri i vendit deklaroi pa iu dridhur syri se Partia Demokratike, pra opozita politike, duhet të ishte zhdukur prej kohësh se nuk i hyn në punë kërkujt, duke pyetur se çfarë mund të kishte ndodhur nëse kjo deklaratë do bëhej në një vend tjetër evropian?!

POSTIMI I PLOTË

Kongresi i Partisë Socialiste në kontekstin formal nuk meriton kurrfarë vëmendje për partitë e tjera politike dhe në tërësi për opinionin publik.

Është një event partiak që iu takon anëtarësisë së asaj partie.

Në kontekstin politik merr një dimension tjetër pasi PS qeveris vendin dhe aty kupton mentalitetin, kulturën dhe modelin e pushtetit mbi shtetin dhe qytetarët.

Në kontekstin praktik, të asaj që ndodhi ishte një skandal i rëndë politik, por që në kushtet kur përjetojmë skandale pas skandalesh prej 10 vitesh, rreket të ikë pa u ndjerë edhe ky perversitet i radhës prej Edi Ramës.

Në kongresin e PS askush nuk guxoi t’u shpjegojë shqiptarëve pse ata janë kthyer në vendin më të varfër të Ballkanit, pse Shqipëria është mes tre vendeve më të korruptuara në botë dhe pse shqiptarët vijojnë të braktisin masivisht vendin në një politikë antikombëtare të shpopullimit?

Ajo që zëvendësoi këtë përgjegjësi të qeverisjes socialiste ishte shpërfaqja e modelit, kulturës dhe moralit politik të Edi Ramës, jo në kuptimin se nuk njihet kush është si i tillë, por në këtë kongres sa nga arroganca ekstreme që e ka kapur por edhe nga rikthimi i frikës më së fundi, e nxori jashtë shinave.

Kryeministri i vendit deklaroj pa iu dridhur syri se Partia Demokratike, pra opozita politike, duhet të ishte zhdukur prej kohësh se nuk i hyn në punë kërkujt!

Imagjinoni të kishte ndodhur kjo deklaratë në një vend tjetër evropian?

Në fakt nuk ndodh sepse vetëm në Shqipëri kryeministër në vitin 2022 është një pinjoll i bllokut famëkeq stalinist të rregjimit hoxhist.

Ky pinjoll i asaj bote kriminale që i ndërtoi pasionet e veta mbi dhunimet, internimet, burgosjet e linçimet e djemve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës e gjithë Shqipërisë nga pushteti familjes, sot natyrshëm urren këdo që mund ti rrezikojë këtë trashëgimi pushteti.

Por përtej urrejtjes në këtë kongres, Edi Rama tregoi se ka filluar të ketë frikë.

Çuditërisht edhe pse fakte dhe prova të shumta të korrupsionit me tendera, me koncensionet skandaloze, me kulla në prona publike të kryeqytetit, me aferën e shekullit të inceneratorëve, përsëri Edi Rama jo vetëm nuk ndiente frikë por tallej sa herë i duhej të ndeshej në publik me këtë.

Frika në këtë kontekst ka të bëjë me dy dimensione. E para frika tek ligji, e dyta frika politike. Ligjin dhe drejtësinë Edi Rama arriti ta asgjësonte totalisht! I ktheu në Hiç!

Por ia arriti të garantonte dhe rehatinë nga kundërshtari politik, duke e kthyer partinë më të madhe opozitare në një kioskë teneqeje ku vlera më e madhe ishte një makineri ku numëroheshin paratë! 6 marsi e tronditi rëndë Edi Ramën.

Garancitë dhe investimi që kishte bërë, nuk mendonte kurrë se kioska do shembej dhe një Shtëpi e madhe i Lirisë, po ngrihej. Edi Rama e ka aq kapacitet intelektual për të kuptuar nga ajo që ndodhi në 6 mars se çfarë do të ndodhë më 2025!

Ndaj nëse frika tek ligji e drejtësia nuk shpërfaqet ende tek Edi Rama, paniku e ka zënë politikisht.

Në raport me drejtësinë ka pafund akte të rënda korrupsioni, por për ta lehtësuar kuptimin se kur fillon ekzistenca e saj po referohem një fakti zyrtar, prej institucioni zyrtar, akuzuar zyrtarisht qeverinë zyrtare.

KLSH ka gjetur, faktuar, denoncuar se gjatë 6 viteve të fundit dëmi ekonomik mbi buxhetin e shtetit ka qenë 6 miliardë dollarë, afro sa 2 buxhete vjetore të shtetit.

Kaq mjafton që drejtësia të thërrasë Edi Ramën dhe të nisë e të ndjekë paranë. Këtë ende nuk e dimë se kur mund të ndodhë.

Sot për sot është mirë që Edi Rama ka filluar të ndjejë frikën politike, frikë nga opozita!

Zjarr Tv Ad