Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se ditën e sotme ka nisur rehabilitimi i shtresave asfaltike në aksin rrugor Tiranë–Durrës.
Përmes një postimi ARRSH njofton se rehabilitimi do të zgjasë 25 ditë për të dyja senset e lëvizjes.
Procesi i punës do të fillojë nga Ura e Dajlanit në drejtim të Tiranës (deri në mbikalimin e Kasharit).
Sipas ARRSH-së, do të punohet me njërën korsi, përkohësisht të bllokuar, për një gjatësi prej 500 m, sipas skemave të miratuara të menaxhimit të trafikut në bashkëpunim me Policinë Rrugore.
Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar në një gjatësi prej 500 m.
Me përfundimin e punës në këtë gjatësi, bllokimi do të spostohet në 500 m të tjerë për vijimin e punës.