Aleksandër Bojaxhi, kryetar i shoqatës Bjashkatarë dhe Alpinistë Tirana, ka ndërmarrë një nismë të veçantë për ndryshimin e emrit të Malit të Jezercës, dhe për ta quajtur atë Jezera.
Ai propozon që të gjithë të organizojnë një veprimtari për 80 vjetorin e alpinizmit shqiptar.
Shkruan Aleksandër Bojaxhi:
JEZERA 80 Vjet ma parë
Bazuar në Revistën MINEVRA, Nëntor 1934, faqe 21-22, maja e Jezerës është ngjitur për synime sportive për të parën herë nga një grup të rinjësh të qytetit të Shkodrës më 25 Korrik 1934. Ky grup u nis nga Shkodra më 17 Korrik 1934 dhe ndoqi itenerarin (ju kujtoj se n’atë kohë nuk kishte rrugë automobilistike): Shkodër – Fusha Shtoit – Ura Mesit – Drisht – Ura Shtrejtë – Ura Prekalit – Prekal – Guri Kuq – Mali Shoshit – Shtupja e Shoshit – Qafë Kumorë – Kodër Shëngjergj – Lolajt – Ura Lumit Shalës (pasarel) – Abretë – Pecaj – Bjeshka e Pecaj – Pecaj – Vuksanaj – Lotaj – Theth (22 korrik) – nisja më 24 korrik për Q. Pejë – Gr Bukura – Jezerë (dt 25) – Q. Valbonë – Theth – Sht Dhenve – Bogë – Fushë Zezë – Vrith – Shkrel – Shkodër.
Paragrafi i maposhtëm është shkëputur nga numuri i revistës në fjalë:
“…… Ne nesret (dt 25 Korrik – shënimi im) marrim të zotin e shpis (të zotin e stanit – shënimi im) e nepër livadhe me lule bjeshkësh – çajë mali, soje gjithfarësh të luleve “mos më harro” genciana – kalojm nëpër gurrisht të rranxës të Jezerës. Lugina të vogla dhe humnere të kthella 400 – 500 m gjatë, shkrepa, rrasa e gurishtë t’imtë, gryka e maje paramalesh shkojn tuj ndrue gjatë rrugës të marrun deri sa tuj u kacavjerrë e tuj u majtë ma tepër me duer se me kambë mrrijm në Jezerë, i pari grup shqyptar në majen ma të nalten e verit. Neper mjet të reve dallojm male e lugina mbushë me borë, shkrepa gjith nduer trajtash e livadhe të vogla ende të rita prej borës së shkrime, nji det malesh e grykash të paraqitet në një harmoni të jashtzakonshme, me të kujtue panorama madhështore t’alpeve qandrore. Ku t’ja fillojm ma parë me caktue shka shofim? Afër nesh kemi male të tjera të grupit
Jezera e Popllukë, mbas tyne liqenin e Gshtarës, prej të cilit duket se e ka emrin ky grup (sll. Jezera = liqe)…….” Turisti
Ju propozoj që bashkërisht të kontribojmë që të organizojmë një veprimtari të veçantë për këtë 80 vjetor të alpinizmit Shqiptar.
Paraprakisht dëshiroj tu intrigoj në sa ma poshtë:
– Të organizojmë sa më shumë grupe për të ngjitur majën nën slloganin Java e JEZERËS 21 – 27 Korrik 2014.
– Të krijojmë tre pika kampimi për nisjet drej majës: Një në Theth tek kroni Micanve (këtu ka qenë edhe bujtina dikur) dhe/ose lagja Okol; një në Rrogam të Valbonës dhe një në Fushë Runicë.
– Të theksojmë (më saktë të bëjmë të njohur) se rrëza veriore e majës së Jezerës arrihet duke ecur/u ngjitur për disa qindra metra nëpër akullnajë (Akullnaja e Gjërë – hajt t’i vemë vetë një emër përderi sa nuk kemi gjeografë).
– Të organizojmë një fushatë të rruajtjes së emrit të majës, duke i mëshuar emërtesës JEZERA (mjegulla, reja) sipas emërtesës së banorëve që jetojnë rreth majës dhe jo versionin sllav JEZERCA.
Mendoj që kjo veprimtari të ngrihet mbi bazën e mbështetjes nga Federatat e Alpinizmit në Shqipëri (FSHALTM), Kosovë (FBAK) dhe Mal të Zi. Me këtë rast të njoftohen edhe federata të tjera ballkanike dhe më gjërë. Me këtë e mail nuk pretendoj se kam njoftuar këdo që ja vlen të njoftohet. Ju lutem ndihmoni!
Ju përshëndes,
Aleksandër Bojaxhi