Një 15-vjeçare amerikane ka humbur jetën pasi tentoi të realizonte një “sfidë” që po qarkullon mes të rinjve në aplikacionin “Tik Tok”.
Chloe Phillips vdiq nga mbidoza e medikamentit Benadryl, që sipas sfidës ajo duhet ta konsumonte sepse i jepte efekte të ngjashme me disa droga të jashtëligjshme.
Shumë të rinj janë duke e ndërmarrë këtë lojë të rrezikshme, ku një pjesë e madhe e tyre kanë patur shqetësime për shkak të efekteve anësore.
“Benadryl është një medikament tepër i fortë, për të kuruar alergjitë apo të ftohtin. Por nëse merret në sasi të mëdha mund të shkaktojë vdekje për shkak të mbidozës. Është e rrezikshme,” tha një eksperte mjekësore për mediat në Oklahoma, duke shtuar se adoleshentët manipulohen pasi mendojnë se ky medikament do t’i japë efekte si marijuana.
“Ata shohin njëri-tjetrin në Tik-Tok, dhe thonë se duke qenë se e konsumoi dikush dhe nuk i shkaktoi probleme, as mua s’do të më ndodhë gjë,” shtoi ajo.