Një dekadë si prokuror i Tiranës, Erjon Imeraj konfirmohet në detyrë nga vetting

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokurori i Tiranës Erjon Imeraj është konfirmuar sot në detyrë, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Shkalla e parë e vettingut nuk ka gjetur probleme gjatë hetimit administrativ për magjistratin e kryeqytetit, duke i dhënë sot “dritën jeshile”.

Erjon Imeraj u përball lehtësisht të mërkurën më 12 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan gjetje që ishin thuajse të gjitha pozitive. Imeraj falënderoi Komisionin për “hetimin objektiv” dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vettingut për Erjon Imeraj u krye nga trupa e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Prokurori i Tiranës e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2005 me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe. Pasi ka punuar për shtatë vjet si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, në vitin 2012 ai u emërua si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ku e ushtron dhe aktualisht funksionin e tij.

Sipas Komisionit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka dorëzuar raport pozitiv për Imerajn.

Erjon Imeraj është pyetur për ndryshimet familjare dhe ka shpjeguar se për periudhën 2012 kur ka filluar detyrën deri në vitin 2019 ka jetuar me prindërit dhe motrën. Nga relatimi u kuptua që babai i subjektit të rivlerësimit është ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.

Besnik Imeraj u largua me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë më 31 janar 2018 dhe KPK vendosi pushimin e procesit të rivlerësimit të tij, por një muaj më vonë e referoi çështjen në Prokurori për të vlerësuar nëse prej hetimit administrativ kishin dalë ose jo fakte që përbënin vepër penale.

SPAK kërkoi pushimin e hetimeve për 7 gjyqtarë, mes së cilëve edhe Besnik Imeraj, por kjo kërkesë u rrëzua Gjykata e Posaçme, e cila i riktheu aktet për hetime të mëtejshme në prokurori. Në seancën dëgjimore të prokurorit Erjon Imeraj nuk u relatua asnjë problem lidhur me procesin e hetimit administrativ të kryer për babain e tij.

Zjarr Tv Ad