Një gjeneral kapet rob

0
117
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Enton Abilekaj

Pasi shkruajti historinë e tranzicionit me fitoren e mandatit të tretë, pas kontestimeve të opozitës për zgjedhjet e 25 prillit, pas shuplakave të vëzhguesve ndërkombëtarë për partinë – shtet dhe blerjen masive të votës, pas një viti që thelloi borxhin dhe krizën ekonomike, zgjedhja e Presidentit të ri, mund të ishte një shans për të korrigjuar diçka. Të paktën një mesazh bashkëpunimi, shtrirje dore, një mundësi për komunimikim në shqip.

Mëgjithëse nuk po mund ta menaxhojë pushtetin absolut, Edi Rama nuk e pa asnjëherë zgjedhjen e Presidentit si një mundësi për vendin. Në vend të dialogut, zgjodhi provokimin e opozitës, përdorimin e procesit Kushtetues për të krijuar një farsë diversioniste, përjashtuese për shumicën opozitare dhe inkurajuese për pakicën.

Në vend të seriozitetit zgjodhi talljen tjetër me shqiptaret, me një emër pa profil të nxjerrë në momentin e fundit, me një ofertë më pak se modeste që vetëdeklaron se nuk di të flasë, me një hije që konfirmon diellin kryeministër, ndërsa i premton në sy të gjithë shqiptarëve se do sillet mirë. Me një peng që filmohet në përbetimin që i bën shefit, me qëllim që çdo iluzion, se mund të kontrollojë pushtetin absolut, të shuhet pa u votuar.

Në vend të përgjegjshmërisë zgjodhi të turpëronte Kushtetutën, Parlamentin që duhet ta respektojë dhe Presidentin në detyrë që duhet ta mbrojë. Donte vetëm të tregonte se tekat e tij kanë më shumë vlerë se domosdoshmëria ulëritëse e rimëkëmbjes së vendit dhe askush nuk mund ta ndalojë.

Opozita e para nuk është e aftë. Jo vetëm grupi i Alibeajt që u përfshi në farsën diversioniste duke nxjerrë dhe 8 emra për tu tallur Taulanti, por edhe Berisha nuk arriti ta trajtonte sic e meritonte ejakulimin e Edi Ramës. U tregua i gatshëm të shkëmbente zgjedhjet e 25 prillit me Presidentin, të legjitimonte pushtetin absolut për një pozicion honorifik, të vuloste një precedent të pazarit politik që do ta penalizonte vendin përgjithmonë.

Kur gjithçka u konfirmua se ishte spektakël personal i një prestigjatori që me numrat e tij mashtron shqiptarët prej 9 vjetësh, çuditërisht Berisha vendosi të shkonte ne seancë, për t’i dhënë përmasë parlamentare të gjerë, procedurës partiake të Rilindjes. Aq u habit Lindita Nikolla, sa e pa të pavend t’ i jepte fjalën Sali Berishës në një seancë ku partia e saj do ngrinte dorën për të ligjëruar hyrjen e pengut të Edi Ramës në Presidencë.

Kishte dhe LSI dhe PDIU që, megjithëse e panë si u përjashtua Berisha nga seanca, qëndruan për t’i dhënë një dorë opozitare akti të fundit të shembjes së Shtetit. 104 deputetë në sallë, 1 votë pro dhe 1 abstenim, nga opozita, ishin të mjaftueshme për krenarinë e Taulantit përballë shqiptarëve.

PDIU e ka tipar fluiditetin, ndërsa LSI ka pronarët që, përpara votimit e paralajmeruan sjelljen parlamentare me dekretin e firmosur nga Stambolli. Ishte pikërisht ai që shpenzoi 5 vjet konflikt institucional dhe politik me pretendimin se po mbronte Kushtetutën, ishte Ilir Meta i vetëdeklaruar kundërshtari më i madh i Edi Ramës, që filmon veten dhe ua tregon shqiptarëve duke plotësuar tekën e fundit të Kryeministrit. E pathëna e vetëkuptueshme në atë video është se për Ilir Metën, Edi Rama nuk është kundërshtar se qeveris keq, por se e ka lënë pa pushtet dhe pa përfitime. Sapo flirtojnë duke përdorur njërën nga të dyja, ai është gati ta përdorë kushtetutën për Edi Ramën, si lodër për tekat e një fëmije të llastuar.

Pas kësaj askush nuk mund t’ i thotë Bajram Begajt pse u përdor për shown e Edi Ramës, pse vuri emrin e tij tek alibia e autokratit për një president të pavarur, pse e dorëzoi karrierën e tij në shërbim të interesave të një pushteti totalitar të korruptuar, pse si shqiptar patriot që u vetëshpall se është nuk kuptoi që vendi ka nevojë pikërisht për të kundërtën e kësaj që ndodhi, për njerëz që sakrifikojnë ç’ të munden nga vetja për t’i shërbyer sadopak vendit, në vend të pengmarrësve që sakrifikojnë ç’ të munden nga vendi për t’ i shërbyer sadopak vetes.

Të gjithë humbëm të shtunën më 4 qershor. Edhe Edi Rama që këtë herë nuk arriti as të ngërdheshej me talljen e fundit që u bëri shqiptarëve për interesat e tij. E mira e kësaj humbjeje, diskretitimi i një klase politike të konsumuar, është një leksion i vjetër që askush nuk do ta kujtojë.

Zjarr Tv Ad