Deputeti i PD, Luciano Boci ka reaguar pas deklaratës së fortë që bëri mbrëmjen e djeshme sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se kryetari i një bande në Elbasan ka mbledhur firma për Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha në 11 Dhjetor.
Boci shkruan se demokratët e Elbasanit edhe kur kanë firmosur edhe kur jo, kanë shprehur vullnetin dhe bindjen e tyre.
Reagimi i plotë nga Boci:
DY FJALË… Demokratët e Elbasanit dhe kur kanë firmosur dhe kur jo, kanë shprehur vullnetin dhe bindjen e tyre, larg çdo presioni apo miklimi të çfarëdolloji. Të hedhësh hije dyshimi mbi ata që përballuan me guxim masakrën zgjedhore të 25 prillit, për më tepër për guximin e tyre, është e pandershme dhe politikisht jo korrekte. Unë jam përulur me respekt dhe do vazhdoj të jem falenderues për punën dhe sakrificën sublime të tyre!
Mua dhe të tjerët na ulën në parlament vota dhe mundi i atyre që kanë firmosur dhe atyre që nuk kanë firmosur për Kuvendin e 11 Dhjetorit. Asnjë gjykim dhe paragjykim për askënd! Vetëm borxh ndaj tyre, falenderime e bekime! Pa ATA s’ka fitore! Pa ATA s’ka bashkim! Pa ATA s’ka PD!