Partia Demokratike dhe aleatët e saj, do të përmbyllin mënyrën e daljes së koalicionit opozitar në zgjedhje.
Pavarësisht taktikës elektorale që parapëlqen kryedemokrati Basha, aleatët e opozitës së bashkuar thonë se; tashmë formula është ajo e daljes me dy lista në “betejën” e 25 prillit.
“Brenda 10 ditëve do të kemi dy lista, një LSI dhe një PD-aleatët e saj”, ka thënë Duka.
“Vlera e këtij koalicioni qëndron nëse votat që ne bashkojmë krijojnë mandate. Votat që nuk krijojnë mandate shkojnë në interes të Edi Ramës”, është shprehur Fatmir Mediu.
Dalja me siglën e Partisë Demokratike, i dëmton, si Mediu i Republikanëve, ashtu edhe Duka i Agrarëve, që më herët ka folur për kandidim më vete, por pohojnë se do të jenë pjesë e listës finale të selisë blu.
“Nga pikëpamja e interesit elektoral Partia Republikane nuk i intereson që të dalë më vete sepse numri i votave që duhet brenda koalicionit është po aq sa duhet për të marrë më vete, po të dalë si forcë politike. Por dalja më vete krijon kosto për interesat e Shqipërisë dhe jo vetëm të opozitës”, shprehet Mediu.
“Ne do të dalim në listë me PD-në sepse dalja më vete e një prej partive aleate siç është PAA mund të rrezikojë çuarjen dëm të disa votave në qarqe të ndryshme”, shprehet Duka.
Ka një marrëveshje paralektorale me kryedemokratin Basha, jo vetëm për zgjedhjet e 25 Prillit, por edhe qeverisjen e nesërme.
“Duhet që çdo subjekt politik të dijë si të veprojë brenda kësaj marrëveshje për të maksimalizuar votën e vet dhe për të thirrur qytetarët në marrëdhënie brenda koalicionit”, është shprehur Mediu.
“Për të zhdukur çdo lloj dileme duhet të dalim në një deklaratë të përbashkët që kushdo dhe sido që të jenë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme e shohim të ardhmen tonë sëbashku”, ka thënë Duka.
Dy aleatët e Lulzim Bashës në takimin e fundit që kanë patur me kreun e opozitës i kanë kërkuar që të kenë përfaqësues të tyre në disa qarqe të vendit.