NJË SFIDË E BIBLIOFILISË NDAJ BIBLIOMANISË – Nga Aurel Plasari

0
63
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Po të kesh jetë të lidhur me bibliotekat, jo aq sa administrator, por më shumë si përdorues i tyre, të qëllon të njohësh plot raste grumbulluesish librash me vlerë, hartash, gravurash etj., që nuk mund ta meritojnë emërtesën koleksionistë, aq më pak bibliofilë. Aspak nuk ka të bëjë me bibliofilinë gjuetia e librave të rrallë a të vyer që blihen sot shtrenjtë për t’u shitur nesër edhe më shtrenjtë. Dhe afërmendsh që nuk ka të bëjë me koleksionizmin e mirëfilltë dituror akumulimi grumbull-grumbull i librave të cilët as i lexon, as i shfleton, madje të cilëve as ua di përmbajtjen dhe i përdor sa për të përmbushur vanitetin, d.m.th. për të mbushur zbrazëtinë. Këta janë bibliomanët. Ata i talli Victor Hugo-i me thënien poshtëruese: “Kanë një bibliotekë si eunukët që kanë një harem”. Jo më kot bibliomaninë e quajnë edhe parodi të bibliofilisë.

Sa për të kujtuar se deri në ç’deformime të skajshme mund të shpjerë vaniteti i bibliomanëve po përmend një pasazh anekdotik për Aladro Kastriotin, njërin nga pretenduesit e fronit të Shqipërisë, prej një letre të Faik Konicës drejtuar Nikollë Naços në Bukuresht:

“Më pyet për Aldron. Ç’të të thom? Ti e ke kuptuar vet se ç’mut është. Nuk e di a është i prishur mentsh a po escroc [fr. batakçi] i pa-turpëshm. Ca thonë se është i vënë prej Moskovit, ca prej Italianit. Unë vetëm këtë kam kuptuar: Ky ka blerë në Venedig një pikturë të Skënderbeut të vjetër e ahere i mbiu në kokë pralla se zbret prej Skënderbeut. Gjeti edhe një grua të pasur, e cila ka 6 miliun frëngash pasje, e i jap Aladros të gjitha paratë që prish. Se puna e tij është të shesë verëra të tija, po ngaqë vreshtat e Espanjës u prishnë, nga kërçmar [turq. pijeshitës] që qe u bë pyzeveng [turq. kodosh, rufjan] e rron me para të pydhit”.

Koleksioni i mbledhur e i ndërtuar me dije, art dhe sidomos dashuri nga z. Ylli Sula përbën sot në Shqipëri një akt të spikatur – le ta quajmë edhe unik – të refuzimit të bibliomanisë në të mirë të bibliofilisë. Por jo vetëm kaq: edhe vetë ekspozimi i koleksionit në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, i shoqëruar edhe nga një katalog tanimë profesional, shënojnë në Shqipëri ringjalljen për t’u gëzuar të saj tradite të lavdishme të themeluar prej gati një shekulli më parë nga Lumo Skëndo, e më mbas të fikur.

Edhe pa qenë koleksionist, edhe pa qenë bibliofil, duke qenë një dashnor i thjeshtë i librit si bankë e dijeve, e di që puna e z. Ylli Sula është një fushë beteje, në kontakt të përditshëm me librarë, me bukinistë dhe me antikuarë, sa bashkëpunues aq edhe refuzues; shpesh i vetëm në fushë mes zjarrit të kryqëzuar të blerjeve, ndonjëherë i plagosur prej ndonjë dështimi. Në këtë fushë i uroj mikut tonë të nderuar, simbas parimit të moçëm të artit luftarak “në luftë si në luftë”, sa më shumë fitore.

Zjarr Tv Ad