Një shqiptar në krye të Shërbimit Sekret në Maqedoninë e Veriut, BDI kundër

0
20
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Emërimi i Erolld Musliut nga ana e Presidentit Stevo Pendadovski në krye të Agjencisë për Zbulim ka ngjallur reagimin e BDI-së. Partia e Ahmetit kërkon nga Pendarovski të korrigjojë këtë vendim.

“Vendimi i djeshëm na ka shqetësuar të gjithve dhe ka vendosur hije në një ditë kur parlamenti ka miratuar reformën për shërbimet e inteligjencës. Informacionet tona janë se ky vendim është marrë në bazë të mungesës së informacioneve dhe jo me ndonjë qëllim të keq nga presidenti. BDI-ja vlerëson se pa u ndriçuar deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit nuk duhet të jetë në krye të institucioneve sensitive prandaj vlerësojmë se Presidenti duhet të mbledhë më tepër informacione dhe të reflektojë mbi vendimin e marrë”-tha Bujar Osmani, zv.kryeministër.

Në vitin 2011, BDI-ja kishte kundërshtuar emërimin e Musliut në këtë post duke e konsideruar atë si falsifikator dokumentesh. Megjithatë, një ditë më parë, vetëm disa minuta pas bërjes publike të lajmit për Musliun, nga partia e Ahmetit deklaruan:

“Ahmeti ka pasur takim me Pendarovskin dy ditë më parë dhe i kanë diskutuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjet kadrovike dhe besoj se ka qenë jashtëzakonisht takim i frytshëm dhe në atë takim është diskutuar edhe kjo çështje”- u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Vlerësimet e BDI-së për emërimin e Erolld Musliut nuk i komentoi kryeministri Zoran Zaev.

“Presidenti din ndonjëherë të na konsultojë për disa çështje, janë kompetenca dhe e drejtë e tij. Besoj se konsultimet do të vazhdojnë për këtë dhe për gjëra të tjera kështu që do të përgjigjet presidenti. Unë nuk kam ambicie dhe aspirata në këtë pjesë”- theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Vetë Musliu ishte prezent në Komisionin parlamentar për monitorimin e institucioneve të sigurisë si drejtor i ri, edhe pse potencoi se vendimi akoma nuk ka dalë në Gazetën Zyrtare.

“Dje dëgjuat dhe ka pasur qëndrim edhe nga ana e presidentit. D.m.th. unë jam emëruar nga ana e Presidentit Stevo Pendarovski. Nuk e di çfarë qëndrimi ka BDI-ja por me sa e di ata janë në koalicion me LSDM-në, bashkë e mbështetën Presidentin Stevo pendarovski. Ç’të them më shumë…”- pohoi Erolld Musliu, drejtoi i sapoemëruar i Agjencisë për Zbulim.

Musliu në krye të Agjencisë për zbulim, institucion nën kompetenca të Presidentit, vjen pas punës disa vjeçare në DSK dhe zbulim. Së fundmi ka qenë i angazhuar si ndihmës drejtor për koordinimin e punëve operative. Nga ana tjetër, nuk dihet akoma jetëgjatësia e Agjencisë së zbulimit meqë disa herë është diskutuar opsioni i bashkimit në një institucion të vetëm i DSK-së, e cila që tani do të jetë Agjencia për Siguri Kombëtare, dhe Agjencisë për zbulim.

“Është një prej opsioneve edhe ligji për Agjencinë për Zbulim. Ka qenë ligji edhe pjesë e planit 18 por për shkak të zgjedhjeve presidenciale dhe pritjeve për presidentin e ri nuk deshim që qeveria të marrë ndonjë vendim pa i parë edhe pikëpamjet e Presidentit të ri mbi këtë ligj. Tani që kemi Presidentin e ri mund të hapet debati se cili do të jetë fati i Agjencisë për zbulim”- u shpreh Bujar Osmani, zv.kryeministër.

Presidenti Stevo Pendarovski një ditë më parë bëri të ditur emrat e personave që do të përbëjnë kabinetin presidencial si dhe këshilltarët e tij të jashtëm./Alsat.M/

 

Zjarr Tv Ad