Dialogu Kosovë-Serbi ka dominuar Samitin e Berlinit. Në deklaratën e zbardhur të qeverisë gjermane për takimin e përbashkët franko-gjerman për Ballkanin Perëndimor më 29 prill thuhet se Presidenti francez dhe Kancelarja gjermane theksuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare, të detyrueshme ligjërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për stabilitetin në rajon.
“Një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugën e Serbisë dhe Kosovës në Evropë. Ata ranë dakord që një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë për stabilitetin në rajon”.
Sipas deklaratës, Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të çojnë përpara përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të vijojnë dialogun konstruktiv për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim arritjen e një marrëveshje të plotë e përfundimtare.
Pjesëmarrësit në Samit theksuan rëndësinë e një procesi negociator gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili duhet të shoqërohet me hapa për ndërtimin e besimit.
Ata ranë dakord të intensifikojnë përpjekjet për të krijuar një hapësirë ekonomike rajonale në përputhje me Deklaratën e Samitit të Sofjes në 2018 dhe konkluzionet e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër 2018.
“Të gjithë pjesëmarrësit konfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim brenda kuadrit të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit. Lidhshmëria, bashkëpunimi ekonomik, tregtia e lirë, bashkëpunimi për sigurinë, shkëmbimet e të rinjve dhe pajtimi janë elemente qendrore të procesit. Ata riafirmuan mbështetjen e tyre për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO). Ata shpresojnë në samitin e ardhshëm në Poznan, Poloni” thuhet më tej në deklaratë.
Pjesëmarrësit në Samitin e Berlinit ranë dakord gjithashtu që të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre për të parandaluar radikalizimin dhe luftën kundër terrorizmit, tregtinë e paligjshme të armëve të lehta dhe të vogla dhe migracionin e paligjshëm.
Pjesëmarrësit theksuan përkushtimin e patundur ndaj demokracisë, përfshirë rolin qendror të zgjedhjeve dhe institucioneve parlamentare, sundimin e ligjit dhe veprimit të qeverisjes së mirë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të forcuar rolin e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura.
Sa i takon procesit të integrimit, pjesmarrësit në Samit ranë dakord se reformat e qëndrueshme për perspektivën evropiane të rajonit dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërive ndaj sfidave të brendshme dhe të jashtme të kohës sonë janë të një rëndësie qendrore.
Ata riafirmuan angazhimin e tyre për stabilitetin e rajonit dhe në funksion të këtij qëllimi pjesëmarrësit mirëpritën synimin e Kroacisë për të organizuar një samit të BE për Ballkanin Perëndimor gjatë Presidencës së saj të BE në vitin 2020.