Urdhër arrestet e fundit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë trazuar ujërat social-politike në Shqipëri, pasi përfshijnë emra shumë të lakuar të botës së krimit.
Një prej tyre veçanërisht, është emri më i përmendur i çastit dhe ai më i akuzuari e më i kërkuari nga SPAK: Talo Çela.
Çela ka qenë prej vitesh ndër emrat më të lakuar në botën e krimit në vend.
Në aktakuzën e SPAK, ai përmendet për nëntë krime, që prej vrasjeve, deri tek vjedhjet.
Dëshmia e ish-mikut të Talos, Nuredin Dumanit, pasi ky i fundit u kap në flagrancë në Fier, pikërisht pas një atentati të kryer në Elbasan ndaj Çelës (siç mendohet), e ka bërë figurën e më të kërkuarit nga SPAK të vihet në gojën e në titujt e të gjithë mediave.
Një ndër krimet e para për të cilat ai përmendet, është vrasja me paramendim e Fatmira Habili (Dedaj) në 14 shtator 2013.
Këtë të fundit, Çela (sipas deklaratës së Dumanit), e ka vrarë duke e kapur në garazhin e shtëpisë së saj. Më pas, ai e ka rrahur e më tej e ka prerë në qafë me një thikë. Gjithçka, për t’u bërë të dukej si një tentativë grabitjeje e shkuar në fatalitet.
Një tjetër ngjarje është ajo e vrasjes së shtetasit Andy Zylyfi dhe plagosjes së Ardit Uruçit.
Tjetër vrasje që sipas Dumanit e ka kryer Çela, këtë herë për arsye hakmarrjeje, është ajo e Arben Çetës, më 14 nëntor 2013.
Më pas, vijohet me disa vjedhje.
E para ka të bëjë me një vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasit Xhemal Liçi, në 19 dhjetor 2012.
Tjetër ngjarje është ajo e vjedhjes në dëm të Hamit Haxhisë, kryer më 11 shkurt 2013.
Katër vjedhje të tjera, të shtrira në kohë, i atribuohen po Talo Çelës, nga dëshmia e Nuredin Dumanit.
Kështu, figura e ndërtuar rreth tij është kthyer në një mit të vërtetë në botën e krimit.
Dyshime ka edhe se Çela është pjesëmarrësi kryesor i vjedhjes së një shume të madhe parash nga një avion në pistën e Rinasit, pavarësisht se ai e ka mohuar çdo akuzë.
Megjithatë, një gjë, me ose pa pretendimet e Talo Çelës, është e ditur: Ai sot është njeriu më i kërkuar nga SPAK dhe ku ndodhet, nuk e di askush!