Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka nisur procesin kundër udhëheqësve të Mianmarit, të akuzuar për gjenocid dhe spastrim të minoritetit mysliman në vend. Akuzat rëndojnë veçanërisht ndaj kryeministres Aun Sen Su Ki, e cila dikur mbahej ikonë e paqes dhe do të vlerësohej edhe me Nobel për aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut.
Kryeministrja e Mianmarit, Aun Sen Su Ki, mbërriti të martën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për t’u përballur me akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Politikania 74-vjeçare e vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1991, akuzohet nga shteti i vogël afrikan i Gambias dhe Organizata e Bashkëpunimit Islam se ka lejuar ushtrinë të persekutojë e vrasë mijëra pjesëtarë të minoritetit mysliman “rohinxha”.
“Çdo ditë që kalon pa vepruar vriten më shumë njerëz, më shumë gra po përdhunohen dhe fëmijët e tyre po digjen të gjallë. Dhe kjo vetëm pse lindën ndryshe, me race dhe fe ndryshe nga ajo e atyre që i vret dhe i përdhunon. Ky, të nderuar gjykatës, është gjenocid,” deklaroi të hënën në Hagë ministri i Drejtësisë i Gambës, Abubakar Tambadu.
Rohanxhat janë një etni që beson në Islam dhe i ndalohet të lëvizin lirisht, të marrin nënshtetësinë, të edukohen apo të punojnë në administratën publike të Mianmarit, në shumicë budiste.
Ata konsiderohen emigrantë të paligjshëm, dhe në spastrimin etnik të viteve 2016-2017, me mijëra do të vriteshin e gati 1 milion do të zhvendoseshin në kampe drejt Bangladeshit. Kryeministrja birmane, Aun Sen Su Ki, e cilësuar si ikonë e luftës kundër diktaturës në fundvitet 80, ende mbështetet nga banorët e saj. Ajo i ka mohuar krimet kundër minoriteti dhe ka premtuar ndëshkim për autorët në rastet e izoluara.