Kreu i PR-së Fatmir Mediu ka kërkuar diskutim dhe një seancë para shtatorit për çështjen e negociatave me BE. Në seancën e sotme plenare, Mediu tha se procesi nuk është vetëm i qeverisë, por i gjithë politikës dhe shoqërisë shqiptare.
“Ky parlament ka nevojë për të diskutuar një çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Ky proces nuk është vetëm proces i qeverisë, por i gjithë politikës dhe shoqërisë shqiptare. Konsensusi për këtë proces është realizuar pikërisht në këtë kuvend. Do ishte e nevojshme që përpara shtatorit që mblidhej sërish Kuvendi të kishte një diskutim serioz. Ajo që ndodhi para disa ditësh një moment i jashtëzakonshme me rëndësi historike për Shqipërinë. E kemi filluar në 1990 me dëshirën dhe thirrjen ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, kemi punuar pa reshtur sa i përket nevojës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndoshta do ishte e nevojshme të kemi një seancë për të diskutuar për këtë çështje, për angazhimin që duhet të ketë parlamenti shqiptar për të ecur së bashku dhe për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për të realizuar detyrimet e veta se pas 10 vitesh ne arritëm të çelim negociatat, të cilat mund të zgjasin nëse do ishim të ndarë”, deklaroi Mediu.