Tërmeti i 26 nëntorit do të kujtohet gjatë nga mijëra familje shqiptare, të cilat humbën shtëpitë, duke përjetuar ende një situatë shumë të vështirë.
Mëngjes i 26 nëntorit do mbetet i zi përgjithmonë për familjaret e 51 viktimave, që humbën të dashurit e tyre. Në Thumanë dhe Durrës u prodhuan fatkeqësitë më të medha, disa familje u shuan, dhe u goditën shumë fort, duke e bërë të vështirë rikuperimin psikologjik.
Një nga familjet e goditura rëndë është ajo e Manjola Cakonit, e cila humbi bashkëshortin e saj dhe vajzën 15 vjecare, ndërsa vetë shpëtoi së bashku me djalin e vogël. Alesio u bë frymëzim në ato ditë të trishta nëntori. Djali i vogël arriti t’i shpëtojë me shumë pak lëndime rënies nga kati i 5-të i pallatit ku jetonte me familjen e tij.
Por si e kujtojne sot mëngjesin e 26 nentorit, Alesio dhe nëna e tij Manjola Cakoni?
Manjola Cakoni pasi u dërgua në spital ishte në gjendje shumë të rëndë, e pavetëdijshme për disa ditë. Asaj nuk i treguan për 3 javë, se kishte humbur bashkëshortin dhe vajzën. Alesio ishte ngushëllim i madh për nënën. Edhe djaloshi ishte ndër ata që i jepte kurajo asaj, duke i thënë që motra dhe babai ishin gjallë.
Manjola tashmë jeton me kujtime, në faqet e murit ka varur fotografitë e bashkëshortit dhe vajzës së saj 15-vjeçare, Dritës.
Familja Cakoni u vendos në Bathore, në një shtëpi ku vetë kryeministri Edi Rama shkoi për t’i vizituar në fillim. Sipas Manjolës kanë qenë vetë njerëz të stafit të Kryeministrit që e kanë marre në telefon, e duke i premtuar se do të kishte një pension, por se veç duhet të priste. Por pas disa kohësh i thanë se nuk e përfitonte pensionin, të cilin mund ta merrte po të kishte 3 viktima në familje.
Manjola tregon gjithashtu se fatura prej 3.5 milion lekësh e shërbimeve funerale, dhe e drekës mortore, e paguar nga të afërmit e saj, dhe e marrë përsipër nga shteti shqiptar, asaj nuk i është dhënë akoma.
Alesio merr sot një bonus prej 150 mijë lekësh në muaj, ose 5 mijë lekë në ditë, ndërsa pensioni i burrit që humbi jetën është 40 mijë lekë në muaj. Kjo familje duhet të mbahet me 1 300 lekë në ditë.
Djaloshi 11-vjecar, vetëm pak ditë pas tërmetit, u dërgua në Itali së bashku me Aurelin, të voglin tjetër që shpëtoi mrekullisht në Thumanë, për të takuar C. Ronaldon dhe Xhanluixhi Buffon. Alesio e kujton atë si një ditë të bukur.
Manjola Cakoni thotë se bashkëshorti dhe vajza, ikën nga kjo jetë prej neglizhencës së shtetit, sepse tërmeti i shtatorit shkaktoi dëmtime të mëdha në pallatin e tyre, por ekspertët nuk dolën në një përfundim, dhe nuk iu thanë as të hyjnë as të dalin nga shtëpia.
40-vjecarja dhe Alesio paralajmërojnë se këtë cështje do ta ndjekin edhe në rrugë gjyqësore, sepse janë të bindur se kjo histori ka përgjegjës.
Manjola Cakoni ka një mesazh të drejtpërdrejtë për Kryeministrin Edi Rama.
Tashmë e vetmja arsye e Manjolës për të jetuar është të rrisë djalin e saj Alesion, por në kushtet e saj është shumë e vështirë, prandaj ajo kërkon nga shteti shqiptar lidhjen e një pensioni që do të bënte të mundur të përballonte jetën e tyre, në një kohë kur djali është 11 vjeç dhe nëna e pamundur për të punuar, për shkak të problemeve shëndetësore që ka.
Slogani i kryeministrit i përdorur përgjatë periudhes së post tërmetit, ishte “ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, për të treguar se shteti shqiptar do të ishte pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre, për ata që humbën shtëpitë, dhe historia e rrëfyer nga familja Cakoni, tregoi se ata sot janë vetëm. / Osman Stafa për News 24
NDIQNI VIDEON