Në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet vetingu në politikë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se Kryeministri Edi Rama nuk mund ta pranojë atë.
“Nuk kam shpresë që vetingu në politikë të pranohet, se i bie pa u miratuar akoma, pa u futur në rend dite Edi Rama të largohet nga politika”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo tha se dëshiron që vetingut në politikë duhet shtuar dhe analiza e drogës, duke shtuar se një Kryeministër që drogohet është peng i “spaçatorëve”, shpërndarësve të drogës.
Kryemadhi tha se duhet shtuar edhe kartela shëndetësore nga se vuan.
“Në veting duhet të shtojmë dhe kartelën shëndetësore. Prej 20 vitesh i fshihet kartela mjekësore. I them mos pi mall se të bën keq për astmën, ia thotë doktoresha këtu”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se Edi Rama ka një problem shumë më të madh, përballjen me vetvete.
“Në 20 vite kemi dëgjuar njeriun modern, trendi, por që në fakt merr vesh vetëm nga psikopatia që di vetëm si të dhunojë njerëzit e tij dhe si ti mbajë peng”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo tha se Rama është bërë si shtojzovallet që shkelin njëherë surin njërës palë dhe njëherë tjetrës, ndaj tha se organet e reja të gjyqësorit do e vendosin në bankën e të akuzuarve.
Sipas saj ndonëse mendohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndodhen në varësinë e Ulsi Manjës, ajo tha se kjo gjë nuk do të ndodhë më.
Në vijim shtoi se gjatë gjithë kohës Ulsi Manja është i përdorur dhe se lekët i merr Edi Rama.
Ajo i bëri thirrje gjithë ambasadave në vendin tonë, kryesisht asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian se, “Prej ditësh jemi në komunikim me ju për të ecur përpara me axhendën e integrimin. Ky grup grabitësish me emrin kriminal Rilindje, jo vetëm që nuk e do hapjen e negociatave dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian por ka si synim shkatërrimin e këtij vendi dhe kthimin në një bazë trafiku dhe krimi. Kryeministri është kriminel, peng i drogës dhe kokainës që përdor, është minë me sahat jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Europën”