Nuk na mashtron dot më, Nein!

0
38

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka pranuar të takojë kryeministrin shqiptar gjatë ndalesës së tij në Berlin. Bojkotit të saj i janë bashkuar dhe deputetët Wadephul dhe Krichbaum. E gjitha kjo ndodh në një moment kur pritet data e mbledhjes së qeverive të BE-së nga ku do merret vendimi për hapjen e negociatave të integrimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lajmi u bë i ditur nga Dojçe Vele. Në një interviste për DW, Rama u shpreh se nuk kishte shkuar në Gjermani të takonte kancelaren.

Gazeta MAPO në vëzhgimin e saj, sjell një pasqyrë të marrëdhënieve të qeverisë Rama me qeverinë e zonjës Merkel, nga mbështetja e pakursyer e Gjermanisë deri te ftohja, që u thellua pas ndryshimeve Kushtetuese të korrikut. Pse hapja e negociatave është dështimi më i madh i një qeverie në politikën e jashtme në 30 vite pluralizëm!

Përfundimi do ketë qenë i trishtë për Edi Ramën kur Kancelarja Angela Merkel dhe dy deputetët më të rëndësishëm për integrimin në Bundestag, nuk iu përgjigjën ftesës së tij për takim. Kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul dhe kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum, mbajtën të njëjtin qëndrim si kancelarja. Siç raporton Dojçe Vele, Rama nuk ka pasur takim me Merkel, por duket se ka shpresuar deri në fund.

Mediat pranë tij, i mëshuan fort faktit një ditë para nisjes se ai do kryente një vizitë në cilësinë e kreut të OSBE dhe do kishte një takim me kancelaren, por më vonë lajmi u modifikua. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, do dilte në mesditë në konferencën e përditshme për shtyp dhe me një përgjigje elegante u shpreh se s’mund të konfirmonte një takim mes Merkelit dhe Ramës por “Qeveria gjermane i mbështet shprehimisht përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj, i cili është Edi Rama për të zhvilluar bisedime në Bjellorusi”, do shprehej Steffen Shibert, zëdhënësi për shtyp i qeverisë gjermane.

Në fakt Rama takimin me Merkel, nuk e donte as për krizën e Ukrainës as për rolin e OSBE në dialogim. Kancelarja gjermane e kish dhënë më parë pëlqimin e saj së bashku me presidentin Makron, por vetë Rama nuk mori përgjigje nga presidenti i Bjellorusisë Lukashenko për këtë çështje. Në fakt Rama shkoi të kërkonte dhe një herë ndihmën e Gjermanisë për hapjen e negociatave, pasi gongu i mbledhjes ndërqeveritare po afrohet përherë e më shumë.

Një ndarje e Shqipërisë nga Maqedonia, do të bëjë që vendi ynë të harrohet për sa i përket procesit, dhe në këtë pikë ka mbështetjen e Gjermanisë. Por ama Shqipëria nuk e ka mbështetjen e Gjermanisë për sa i takon hapjes së negociatave, ndërsa Maqedonia është në pozita të tjera. Dy pikat më delikate, siç raporton Dojçe Vele janë Ligji Antishpifje, ndryshimet dhe ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në lidhje me sistemin zgjedhor.

Por jo vetëm kaq. Burime diplomatike thanë për Gazetën MAPO, se deputetët e Bundestagut janë të pakënaqur me zvarritjen e pakuptimtë të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese apo dhe me luftën për pastrimin e parave ku qeveria shqiptare ka propozuar amnisti për paratë jashtë bankave. Por, që Rama nuk ka qenë në Berlin për çështje të OSBE-së, duket dhe nga përfaqësimi i atyre që e shoqëronin. Në rast se duhej të merrte dikë nga Shqipëria, atëherë ai do duhej të ishte Ditmir Bushati, si i dërguar i posaçëm i këtij organizmi. Por jo, Rama ka preferuar që në këto takime si “shqytar” të tij të marrë Taulant Ballën, kreun e Grupit të tij Parlamentar, deputet i Elbasanit, një qytet që po kthehet në “Sinaloan” e Evropës, për shkak të krimeve dhe trafiqeve atje. Dojçe Vele, shprehet se Balla në këtë vizitë ka qenë dhe në cilësinë e kryetarit të shoqatës Shqipëri-Gjermani.

Hapja e negociatave, dështimi më i madh i 30 viteve pluralizëm

Procesi i hapjes së negociatave me BE-në mund të quhet një nga dështimet më të mëdha të këtyre 30 viteve pluralizëm, dhe meritën kryesore për këtë e ka pikërisht qeveria e kryesuar nga Rama. Në rast se për statusin e vendit kandidat terreni ishte shtruar nga qeveria e mëparshme, dhe procesi u bllokua nga mosvotimi i disa ligjeve me negociatat nuk ndodhi kështu. Pesha kryesore ishte plotësimi i kushteve.

Në këtë rrugëtim duhet theksuar se Gjermania dhe kancelarja Merkel ka qenë një nga mbështetëset më të forta. Në fillimet e tij, ajo i dha një mbështetje të pakushtëzuar kryeministrit shqiptar, kjo dhe për hir të stabilitetit të Ballkanit, ku Shqipëria është një hallkë e rëndësishme. Komuniteti ndërkombëtar për hir të stabilitetit, do mbyllte sytë dhe para kanabizimit të vendit dhe para të gjitha fenomeneve korruptive apo shkeljes së të drejtave civile që kanë të bëjnë me votën. Problemet kishin filluar të eksportoheshin në Evropë, dhe vetë Gjermania ishte një ndër vendet më të ekspozuara.

Takimi i fundit

Takimin e fundit Rama me zonjën Merkel do e kishte në shtatorin e 2019-s, rreth një muaj para mbledhjes ndërqeveritare të 18 tetorit 2019, ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u refuzuan për hapjen e negociatave. Gjermania, ishte një ndër vendet që e përkrahu Shqipërinë por u përballën me refuzimin e Francës dhe Holandës të cilës iu shtuan dhe Danimarka dhe disa vende të tjera. Në vorbullën e refuzimit u përfshi dhe Maqedonia e Veriut pavarësisht se kish bërë hapa shumë më tepër në këtë rrugë, me arsyetimin e vetëm se Shqipëria nuk mund të lihej vetëm në këtë proces.

Në rast se kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kish pranuar ndryshimin e emrit në emër të integrimit, kish ndërmarrë Reforma në Drejtësi deri në dënimin e ish-prokurores speciale Katica Jaeva e akuzuar për korrupsion etj. Rama paraqitej pa asnjë bilanc, me trafik të shtuar droge, me korrupsion, me azilantë që sa vijnë e shtohen në dyert e BE-së, duke e renditur Shqipërinë krahas vendeve të konfliktit për sa i përket numrit të azilantëve, me drejtësi të bllokuar, me zgjedhje të njëanshme që ishin zhvilluar në qershorin e atij viti, kryeministri shqiptar kërkonte hapje negociatash për integrim. Ajo që ndodhi më pas ishte e denjë për vendet me regjim autokratik.

Ndërsa Zoran Zaev shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të mos hapjes së negociatave, Rama u mundua të heqë çdo përgjegjësi nga vetja duke ia atribuuar këtë dështim të qeverisë së tij, “konflikteve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së”. Në dhjetor Holanda propozoi ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia në procesin e negociatave.

Propozimi i dytë

Më datë 13 mars, BE propozoi sërish hapje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mbledhjen e radhës. Holanda sërish propozoi katër kushte, ku tre kishin të bënin me Reformën në Drejtësi si ngritja e Gjykatës Kushtetuese, ngritja e Gjykatës së Lartë, Vettingu dhe Reforma në Drejtësi. Më pas Gjermania në Bundestag shtoi dhe kushte të tjera që shkuan në 15. Si për habi kjo ndodhi menjëherë pas shembjes së teatrit. Megjithatë Ramës iu la një shteg i fundit, ku u hodh ideja e hapjes së negociatave të kushtëzuara.

Pra, në rast se nuk plotësohej një nga kushtet, Shqipërisë mund ti ndërpritej menjëherë procesi. Në situatën e re Rama duhej të plotësonte vetëm një kusht, reformën zgjedhore. Gjermania, që mban dhe presidencën e BE-së prej qershorit, e shikonte këtë si hap të parë të vullnetit që zgjedhjet e ardhshme nuk do kishin më problemet e evidentuara. Por kryeministri Rama njihet si shkelës recidivist i marrëveshjeve.

Në pesë qershor të këtij viti, pasi mori dhe konsensusin e opozitës, u firmos marrëveshja që ndryshonte disa pika të Kodit Zgjedhor, pa prekur sistemin zgjedhor proporcional rajonal, që parashikonte dhe koalicionet parazgjedhore. Me llogaritë që s’i dilnin kurrkund, ai së bashku me deputetët zëvendësues të listave, hodhi idenë e ndryshimeve kushtetuese dhe prekjes sërish të kodit zgjedhor. Ky do ishte dhe momenti që mazhoranca aktuale do vihej para dyshimeve dhe paralajmërimeve serioze, se me këtë sjellje Shqipëria do e humbiste dhe një herë shansin për hapjen e negociatave.

Ndryshimet Kushtetuese fundosën shpresat e Shqipërisë

I pari do ishte zv.kryetari i Grupit të CDU-CSU në Bungestag, Johann David Wadephul i cili menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në komisionin e ligjeve do kërcënonte me bllokimin e mbledhjes ndërqeveritare të ministrave të BE-së. “Kjo do ta vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore.

Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”, ishte thirrja e Whadephul. Por në përgjigjen e tij një ditë më pas Rama do bënte arrogantin kundrejt deputetit gjerman duke i treguar sovranitetin parlamentar. Më 30 qershor Rama do i shkonte deri në fund idesë së tij për ndryshimet kushtetuese.

Një favor që i bëri pushtetit të tij, por me kosto të lartë për vendin siç po shihet. Zoti Whadephul së bashku me kreun e komisionit parlamentar të Komisionit për në BE në Bundestag Gunther Krichbaum, ishin dy nga ata që refuzuan të takojnë Ramën në Berlin. Nuk duhet harruar se me zotin Krichbaum, Rama pati një debat në vitin 2016, kur ky i paraqiti shtatë kushtet e Gjermanisë për integrimin. Nga mediat afër Ramës ai u etiketua si i paguari i PD-së për të bllokuar integrimin.

Rruga e përbashkët

Sot jemi në një situatë, ku Shqipëria shpreson të mos ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Nëse ndodh diçka e tillë, atëherë ajo do të harrohet në kalendat e burokracisë evropiane. Për sa i përket kësaj çështjeje burime diplomatike saktësojnë për MAPO, se vendet anëtare janë ndarë në dy pjesë. Disa vende si Franca apo Holanda janë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë e vetme, ndërsa Gjermania, Austria etj., janë të idesë se procesi duhet të jetë i përbashkët. Por sërish vendet anëtare i bashkon ideja e përbashkët se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave, dhe kjo jo për faj të konflikteve të brendshme të BE-së, as për faj të shqiptarëve, por për faj të qeverisë shqiptare.

Në rast se Gjermania, vazhdon t’i mbetet këtij qëndrimi atëherë Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet pas derës të BE-së si shoqëruese e fqinjit të saj perëndimor, qeveria e të cilit nuk është gati të bëjë zgjedhje të lira, nuk është gati të ngrejë gjykatat, nuk është gati të luftojë pastrimin e parave, ka si objektiv vetëm mbajtjen e pushtetit. Për Shqipërinë asgjë s’është e sigurt, madje as tërheqja pas vetes e Maqedonisë e Veriut.

Ishte vetë kancelarja Merkel që më 9 korrik në Bundestagun Gjerman do shprehej e dyzuar në lidhje me rrugën që do të ndjekin të dy vendet. “Lidhur me konferencat e anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë, si dhe progresin për Ballkanin Perëndimor”. Një deklaratë jo shumë shpresëdhënëse e saj.

Rama: Nuk kam ardhur në Gjermani për të takuar Merkelin

Vetë Edi Rama, në një intervistë për Dojçe Vele sektori shqip, është shprehur se nuk ka qenë në Berlin për të marrë pjesë në ndonjë takim me kancelaren Merkel. Rama tha se vizita e tij në Gjermani bëhet me qëllim për pjesëmarrjen në forumin e politkëbërjes që mbahet në Gjermani, ndërsa në Berlin ndaloi me ftesë të disa politikanëve dhe sipërmarrësve të interesuar për opinionet e Kryeministrit shqiptar.

“Nuk kam ardhur në këtë udhëtim për të takuar kancelaren, kam ardhur për të shkuar në forumin e politikëbërjes dhe ndalesa e mbrëmshme në Berlin ka qenë thjesht dhe vetëm për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish, që dëshironin të ndanin me mua opinione dhe kanë interes të veçantë për Shqipërinë. Me kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm, dhe s’ka asnjë problem”, tha kryeministri.

Më tej Rama pranon rezervat që ka pasur Gjermania për ndryshimet kushtetuese dhe kodin zgjedhor, por është i mendimit se kjo nuk do e penalizojë Shqipërinë, pasi ai është i bindur se ka bërë veprimin e duhur. “Gjermania është një vend demokratik, ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin tonë zgjedhor, kemi bërë gjënë e duhur edhe në funksion të ambicies sonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik dhe jam i bindur që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë për Shqipërinë”, tha Rama./Mapo/