Deputeti i PD dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit Tritan Shehu e cilëson si lirim të zyrës, largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, pasi sipas tij ky i fundit u shkarkua nga demokratët në 11 dhjetor.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se është marrëzi dhe papërgjegjshmëri që Bardhi të emërojë drejtuesin e selisë blu dhe t’i përcaktojë kohën e qëndrimit në detyrë.
“Nuk pati dorëheqje. Ai ekzekutoi, zbatoi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit për ta shkarkuar nga kryetar i PD. Ai dje liroi zyrën që e mbante si diçka që nuk i takonte. Veprimet e djeshme të linin të kuptonin që e kishin lënë litarin jashtë, për t’u kthyer në pikën e fillimit. Nuk mundet z.Bardhi të emërojë kryetarin e PD-së dhe t’i thotë do qëndrosh deri në zgjedhjet lokale. Kjo është marrëzi dhe papërgjegjshmëri. T’i dhurosh Ramës edhe zgjedhjet lokale. Kemi të bëjmë me absurditet total.
PD duhet ta shfrytëzojë këtë moment që u krijua. Basha bëri mirë që e liroi zyrën, ai është deputet i PD dhe respektohet për këtë gjë. Por PD duhet të përfitojë nga ky moment për të ecur në rrugën e unifikimit dhe normalizimit, duke filluar nga grupi parlamentar. Nuk mund të bëhet me koncepte përjashtimesh, koncepte staliniste, sikur të jetë Kim Jong Un-i ai. Kryetari i ardhshëm zgjidhet vetëm me një mënyrë, me votën e lirë. Anëtarësia do të votojë sipas parimit ‘një anëtar një votë’ që duhet ta zgjedhë në transparencë të plotë. S’ka mënyrë tjetër për t’u bashkuar”, tha Shehu.