Nuk po e bën shëndetësinë si Franca, por si Afrika!

0
127
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Erion Dasho

Javën që kaloi e nisa duke parë një video të Boratit ku ai mburrej se tashmë QSUT nuk ka asnjë ndryshim nga spitalet e Parisit. Një turmë boratësh e ndiqte nga pas dhe, pa pikën e turpit, miratonte përçartjen e Boratit.

Ndërkohë java do të rezervonte disa të papritura të pakëndshme.

PAJISJA E RADIOTERAPISË

Lajmi u bë i ditur vetëm në sajë të një emisioni investigativ. Prej gjashtë muajsh nuk funksionon një pajisje e domosdoshme për trajtimin me radioterapi (me rreze) të personave të prekur nga kanceri. Për ata që nuk u ka rënë halli të përballen me një sëmundje të tillë, tumoret trajtohet nëpërmjet një terapie të trefishtë që përfshin radioterapinë, kimioterapinë dhe, kur është e mundur, edhe kirurgjinë.

Radioterapia është trajtimi i nevojshëm pothuajse për çdo pacient të prekur nga tumori. Mungesa e kësaj pajisje përkthehet në dënim me vdekje për pacientët që janë duke u trajtuar.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është se pajisja zëvendësuese ka ardhur, por ende nuk është bërë gati infrastruktura instaluese. Në një shtet serioz, ku bëhen tendera seriozë, në momentin që porositet pajisja, nis edhe ndërtimi i mjediseve ku ajo do të instalohet. Kjo sepse këto mjedise duhet të kenë mure me veshje speciale që përthithin grimcat radioaktive, duhet t’i përshtaten madhësisë së pajisjes, kërkesave speciale për dhomën e operatorit, etj.

Nuk përjashtohet mundësia që tenderin ta ketë fituar ndonjë prej elifimatrakëve të shumtë rreth Boratit, që nuk e ka haberin e këtyre punëve. Për ata që kanë akoma dyshime, këto nuk ndodhin në asnjë spital francez apo gjerman…

DERA E AMBULANCËS

Një nga ata pak njerëz që ende e shohin të ardhmen në Shqipërinë e Boratit, duke korrur me kombajnë ra në kontakt me rrymën. Dera e ambulancës që e transportoi në spital, nuk u hap për minuta të tëra duke shuar kështu edhe shpresën e fundit për shpëtimin e jetës së të ndjerit.

Kjo ngjarje e dhimbshme nuk ka nevojë për koment tjetër veç atyre që unë dhe kolegë të tjerë kemi bërë gjatë pandemisë së COVID-it.

Gjatë viteve të pandemisë, urgjenca mjeksore, kjo pjesë kaq e rëndësishme e çdo sistemi shëndetësor, u kthye në një zgjatim të sistemit të agjitpropit boratas dhe drejtuesit e saj u keqpërdorën (dhe vazhdojnë të keqpërdoren) vetëm në funksion të propagandimit të “arritjeve” të sistemit që tashmë ja ka kaluar Francës.

KANABISI MJEKESOR

Në një sistem shëndetësor që ka marrë rrokopujën, papritmas Borati u kujtua të legalizojë kanabisin. Në vend që të merret me ata mijëra pacientë të prekur nga kanceri që nuk mund të përfitojnë trajtimin jetëshpëtues të radioterapisë, boratët i dedikuan një mbledhje qeverie kanabisizimit të vendit, nën koperturën e trajtimit të atyre 4-5 diagnozave ku nënproduktet e kanabisit përshkruhen nga mjekët në vende të caktuara.

Nga mbi 4,000 barna mjeksore, ku pothuajse të gjitha importohen, Borati u kujtua të prodhojë me “forcat tona” kanabisin dhe jo antibiotikët, vaksinat dhe preparate të tjerë aq të përdorshëm dhe realisht të nevojshëm për shëndetin e popullatës.

SKLLAVËRIA E STUDENTËVE TË MJEKËSISË

Një tjetër “zgjidhje” e ofruar nga Borati për problemin alarmues të mungesës së mjekëve është mbajtja peng për tre vjet e mjekëve të sapodiplomuar me qëllim pengimin e largimit të tyre nga vendi.

Një masë antikushtetuese dhe e dënuar gjerësisht, u pasua me protesta të fuqishme të studentëve të prekur. Ajo që e bën edhe më skandaloz këtë veprim është momenti kur masa propozohet, kulmi i sezonit të provimeve kryesore të vitit.

Në vend që studentët t’i dedikojnë kohë dhe mund përgatitjes për provime, janë të detyruar të rendin pas përçartjeve të Boratit dhe boratëve.

Jo më larg se fillimi i këtij muaji, pacientët kronikë në disa rrethe të vendit morën mandatën se gjatë qershorit koncesionari i Boratit nuk bën analiza. Së bashku me ngjarjet tragjike të këtij muaji, të gjithë treguesit flasin për sistem shëndetësor në rrënim.

Në vend që boratët t’i dedikohen reformimit aq të nevojshëm të sistemit në të gjithë aspektet e tij, ata vazhdojnë të merren me masa periferike, kontroverse dhe madje antikushtetuese.

Borat!

Nuk po e bën shëndetësinë si Franca, por si Afrika!

Zjarr Tv Ad