Mjeku Ilir Allkja është në mëdyshje pasi nuk arriti të zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale ai tregon paqartësinë e tij, nëse e gënjyen të gjithë ata delegatë që i premtuan se do ta votonin, apo ka ndodhur që votat të mos jenë numëruar siç duhet.
Allkja thotë se radhët e Këshillit Kombëtar të PD-së u mbushën me njerëz pa profil publik, pa kontribute madje dhe bashkëpunëtorë të Ramës.
Reagimi i plotë i mjekut Allkja:
Uroj mos jetë hipokrizi!
Kuvendi kombëtar i PD më kujtoi një rrëfim të profesorit të ndjerë të anatomisë patologjike Pëllumb Bitrit.
Profesor Bitri doktoraturën e kishte mbrojtur në Moskë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Rusinë, komiteti qendror i partisë punës (sot PS) i kishte rrëzuar gjithë titujt shkencorë të mbrojtur atje.
Kohë më vonë tek sa po mbronte titullin para një komisioni me mjekë shqiptar, aspak kopetentë në fushën e anatomopatologjisë, disa anëtarë të komisionit e kishin uruar, përqafuar, dhe …. Votuar kundër!
Në kuvendin e datës 30 prill, në ambjentet e Pallatit Kongreseve, më kontaktuan pafundësisht delegatë, të cilët më përgëzuan, uruan e madje më premtuan votën, pa jua kërkuar.
Në fakt rezultoi se unë nuk isha në listën fituese të këshillit kombëtar të PD, dhe nuk e vuaj aspak këtë.
Nuk po arrij të kuptoj nëse më gënjyen dhe përse duhej ta bënin, ndërsa kjo puna e numërimit të votave është ç’shenjtëruar me kohë, e duhen dekada të marrë nderin e humbur.
Ndoshta betejat e mia publike, për fjalën e lirë nuk i bindën dot as delegatët e ndoshta as numëruesit.
Bindës për votuesit e numëruesit kanë qenë plot njerëz pa profil publik, pa kontribute, e madje edhe nga ata që kanë punuar kundër interesit të opozitës e madje kanë bashkëpunuar me Ramën.
Urime fituesve!