Pep Guardiola është trajneri më i mirë në botë. Jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim, por numrat janë të gjithë në krah të teknikut spanjoll. Të dielën me Manchester City ai fitoi trofeun e shtatë në aventurën angleze, teksa mundi në finalen e Community Shield rivalët e Liverpool pas goditjes së 11-metërshave. Ky ishte triumfi i 28-të në karrierën e Guardiola.
Rrugëtimi i suksesshëm në pankinë nisi me Barcelonën. Arkitekti i “Tiki-Taka” së famshme, që i dhuroi atij 14 tituj. Mes tyre, tre La Liga dhe dy Champions, dy Superkupa të Europës dhe po aq Botërorë për Klube plotësojnë gjysmën e palmaresit të trofeve në karrierën e trajnerit. Shifra të rëndësishme, por bëhen të frikshme kur I shtohen edhe triumfet me skuadrat e tjera që ka drejtuar.