Numri i gazetarëve të burgosur ka arritur shifra alarmante

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Numri i gazetarëve në të gjithë botën që janë burgosur vetëm sepse kanë bërë detyrën e tyre po i afrohet rekordit historik. Kështu thuhet në raportin vjetor të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, sipas të cilit janë 251 reporterët e burgosur për hulumtimet e tyre, që kryesisht kanë denoncuar aferat korruptive të shteteve të ndryshme. Për të tretin vit rresht, Turqia, Kina dhe Egjipti janë tre vendet me numrin më të lartë të gazetarëve të burgosur me akuzën për aktivitete anti-qeveritare.

“Tani burgosja e gazetarëve është kthyer në tendencë, duket diçka fare normale”, ka deklaruar autorja e raportit, Elana Beiser.

Ndërkohë, numri i gazetarëve të burgosur për të ashtuquajturat fake news u ngrit në 28, nga 21 që ishte vitin e kaluar dhe 9 raste në vitin 2016. Raporti i shoqatës amerikane kritikon presidentin Donald Trump për përdorimin e këtij termi ndaj mediave kritike ndaj tij, që është kopiuar dhe përdorur edhe nga liderë të tjerë në botë, si Turqi dhe Filipine.

Studimi publikohet pak ditë pasi revista “Time” shpalli gazetarë të ndryshëm si personat e vitit në vlerësimin e saj vjetor. Mes tyre ishin reporterët e “Reuters” Ua Lon dhe Kiau So, të burgosur prej një viti në Mianmar për shkak se denoncuan dhunën e qeverisë ndaj komunitetit Rohingia, si dhe gazetari Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatën saudite në Stamboll në Tetor.

Në tërësi, Turqia mbetet shteti me agresionin më të egër ndaj shtypit, me 68 gazetarë të burgosur nën akuzat e grushtit të shtetit, i ndjekur nga Kina me 47 dhe Egjipti me 25, që së bashku përbëjnë gjysmën e reporterëve të dënuar në mbarë botën. Gjithsesi, viti me numrin më të lartë të burgimit të punonjësve të shtypit mbetet 2017-a, me 272 raste.

 

Zjarr Tv Ad