NYT: Trump “pagoi 750 dollarë taksa më 2016 dhe 2017”/ Raporton vetëm humbje në biznesin e tij

0
1

Gazeta New York Times shkruan se presidenti amerikan, Donald Trump, ka paguar vetëm 750 dollarë taksa federale në vitin 2016 – kur ka garuar për president – dhe në vitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Gazeta, e cila thotë se ka mbledhur të dhënat tatimore për Trumpin dhe kompanitë e tij për dy dekada, po ashtu pretendon se ai nuk ka paguar asnjë taksë mbi të ardhurat në dhjetë nga 15 vjetët paraprakë.

Të dhënat zbulojnë “humbje kronike dhe vite të shmangies së tatimeve”, shkruan gazeta. Trump “ka paguar vetëm 750 dollarë taksa mbi të ardhurat në vitin 2016 dhe 2017, ndërsa nuk ka paguar fare taksa në 10 nga 15 vjetët e mëparshëm, kryesisht për shkak se ai ka raportuar më shumë humbje sesa fitim”, shkruan New York Times.

Sipas gazetës, raportet e Trumpit te Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave “e portretizojnë atë si një biznesmen që merr qindra-miliona dollarë në vit”, por që i rrit humbjet kronike për të shmangur pagimin e taksave.

Trump e cilësoi raportin si “lajm të rremë”.

“Në fakt, unë kam paguar taksa. Do ta shihni këtë sapo të kthehen deklarimet tatimore – janë nën auditim, kanë qenë nën auditim për një kohë të gjatë”, u tha Trump gazetarëve, pas publikimit të artikullit në New York Times, të dielën.

“Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave nuk më trajton mirë. Më trajton shumë keq”, tha Trump. Një avokat i Organizatës Trump, Alan Garten, i tha gazetës New York Times se “shumica e fakteve, nëse jo të gjitha, duket të jenë të pasakta”.

Ai tha se presidenti “ka paguar dhjetëra miliona dollarë në taksa personale për qeverinë federale”.

Trump është përballur me sfida ligjore për refuzimin e ndarjes së dokumenteve në lidhje me pasurinë dhe biznesin e tij. Ai është presidenti i parë që nga vitet 1970 që nuk i bën publike deklarimet tatimore, edhe pse një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.

Gazeta New York Times thotë se informacioni në raportin e saj “është siguruar nga burime me qasje ligjore në të”.

Raporti vjen vetëm pak ditë përpara debatit të parë presidencial midis Trumpit dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden, dhe disa javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit. Përpara se të zgjidhej president në vitin 2016, Trump është njohur si biznesmen dhe manjat i pronave. Kundërshtarët politikë e kritikuan atë për deklarimet tatimore.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, demokratja më e fuqishme në Uashington, tha se raporti i gazetës New York Times tregon se Trump ka marrë “masa të jashtëzakonshme për të luajtur me kodin e taksave dhe për të shmangur pagimin e pjesës së tij të taksave”.

Në një postim në Twitter, udhëheqësi i pakicës së Senatit, Chuck Schumer, u kërkoi amerikanëve të ngrinin duart nëse kishin paguar më shumë taksa federale mbi të ardhurat, sesa presidenti Trump.

Nëse raporti i gazetës New York Times është i vërtetë, është e paqartë nëse praktikat tatimore të Trumpit janë apo jo të paligjshme./rel