Prej më shumë se 30 vitesh fshati Sulaj në bashkinë Fier nuk ka parë asnjë investim dhe banorëve nuk iu ofrohen as shërbimet më bazike në përditshmërinë e tyre.
Banorët kujtojnë me nostalgji kohën e sistemit të kaluar kur fshati i tyre ishte plot me gjallëri, ujë, drita, rrugë të asfaltuara, çerdhe, kopësht, shkollë e qendër shëndetësore. Ndërsa sot, pas 30 vitesh situata është tejet dëshpëruese.
Sapo hyn në fshat vë re menjëherë se investimet mungojnë prej dekadash, rrugët janë terësisht të amortizuara, shtyllat elektrike gati në të rënë dhe institucionet e shtëpitë të braktisura. Nuk besojmë se gjendet fshat në Republikë kaq i lënë pas dore, thonë banorët të indinjuar, e njëkohësisht të zhgënjyer që asnjë kërkesat e përsëritura pranë pushtetit lokal nuk është marrë parasysh.
“Ka ardhur lloj lloj televizioni, s’kemi të drejtë ne të dalim në rrugë nacionale, ça janë këto kanale? Kush bëri investim në Sulaj, shihe rrugën e kemi shtruar vetë me forcat tona. Pakënaqësia në kulm, kanalet kulluese mungojnë. O shtet, o qen bir qeni, bëj atë që të takon! Kërkojmë të bësh punët tua, o gjytyrym! Tu vijë turp, turp, turp”-tha një nga banorët.
“Jam 102 vjeçe, s’ka as rrugë, as ujë, asgjë. Kanë ikur të rinjtë, kemi ngel ne pleqtë e sëmurë. Ça do bëhet me ne? Hapni sytë e na shikoni! Jemi të vetmuar, vetëm ne na kanë lënë pa rregulluar”-u shpreh një tjetër.
Burimi:Fax News