Një incident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier mes hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Forcave Operacionale dhe njerëzve të ish-kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Incidenti ndodhi në aksin rrugor Fier – Patos, rreth orës 19:20 të mbrëmjes. Arsyeja e operacionit të agjentëve të BKH-së mbahet top sekret, por gjatë këtyre veprimeve është ngritur dhe dron për vëzhgim të subjekteve.
Droni ka shkuar edhe pranë bizneseve të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj, vëllait të Agron Kapllanaj, ish-eksponent i Partisë Demokratike.
Në këtë moment, situata është tensionuar dhe më pas ka ndodhur përplasja fizike mes njerëzve të Kapllanajt dhe zyrtarëve të BKH-së dhe forcave operacionale.
Policia ka arrestuar Gerald Kollçaku, Klaudjo Kapllanaj dhe Ledjan Kapllanaj.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia mbrëmjen e së martës (15 Prill).