Nga përplasjet verbale te konsumi i duhanit dhe lëndëve narkotike e deri te vjedhja kanë qenë disa nga konfliktet e shmangura nëpër gjimnazet e vendit nga oficerët e sigurisë, të cilat rënditen në 80 të tilla në javë. 150 Oficerët e sigurisë operojnë në gjimnazet e vendit, ndërkohë që pritet që edhe 46 të tjerë të përfundojnë trajnimin.
Rreth 80 konflikte në javë janë shmangur nga oficerët e sigurisë nëpër gjimnazet e vendit. Raportimi i këtyre të dhënave u bë gjatë Komisionit të Sigurisë Kombëtare nga ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme.
Zv ministrja e Arsimit Lorena Haxhiu nënvizoi se rastet më të shpeshta të konflikteve lidhen me tematikat e konsumit të lëndëve narkotike apo edhe të vjedhjeve.
Oficerët e sigurisë operojnë në mbi 300 gjimnaze të vendit, por jo në shkollat 9- vjeçare. Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko tha se në këto shkolla ka oficerë policie.
150 oficerë sigurie janë të vendosur në shkollat e mesme në Shqipëri. Numrin më të madhe të tyre e zë Tirana me 17 oficerë, e ndjekur më pas nga Fieri e Kamëza me nga 6 oficerë.