OFL i kërkon justifikimin e pasurisë Arben Frrokut dhe të “fortit” të Shijakut

0
128

Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar edhe sot me dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim për tre persona në Tiranë dhe Shijak.

Dy prej tyre janë të dënuar për vrasje, ndërsa i treti  pjesë e një organizate kriminale  të trafikimit të lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Kështu OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:

-Jasin Kala, banues në Shijak, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin “Cine” i Shijakut, i arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vol-vo 4” u lirua në qershor të 2019 për arsye shëndetësore.

-Arben Frroku, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe Armëmbajtja pa leje”. Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për vrasjen e ish-kryekomisarit të Kombinatit Dritan Lamaj. Ai më pas u arrestua në Holandë, por Gjykata e Apelit në Hagë në shkurt të vitit 2019 ka refuzuar ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri me argumentin se i rrezikohet jeta pasi dënimi është për arsye politike.

-Durim Keçi, banues në Shijak, i dënuar në Itali për veprat penale “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Krime me armë kundër personit”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit”. Durim Keçi, i njohur ndryshe edhe si i forti i Shijakut u arrestua në Durrës me 11 tetor të 2017 por në janar të 2018 ai do ti shpëtonte ekstradimit, duke u liruar me pretendimin se e ka kryer dënimin në Itali. Ai rezulton i dënuar në vendin fqinj nga Gjykata e Xhenovës me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për një sërë veprash penale.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.