Një grup i organizatave joqeveritare dhe individëve nga Beogradi dhe Kosova dënuan, siç njoftuan më 27 maj, gjuhën e urrejtjes së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ndaj shqiptarëve.
Si thuhet në deklaratën e përbashkët, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe kryeministres Ana Bërnabiq që të reagojnë dhe të dënojnë faktin se Vulini vazhdon të përdorë një emërim fyes për shqiptarët.
Ata deklaruan se Vulin ka përdorur disa herë një emërim fyes më 20 maj, duke folur për shqiptarët dhe se deklarata e tij për media është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Gjyqësori i Serbisë, në vitin 2018, përcaktoi se fjala ‘shiptar’ ishte fyese dhe është shënuar si gjuhë urrejtjeje. Zyrtarët publikë që përdorin gjuhën e urrejtjes nuk e kanë vendin në pushtet”, shtohet në deklaratë.
Këto organizata joqeveritare theksuan se gjuha e urrejtjes minon përhapjen e vlerave evropiane në shoqëri, sundimin e ligjit dhe funksionimin e një shoqërie demokratike dhe tolerante. Nënshkruesit e deklaratës shtuan se shënjestrimi i një grupi të caktuar etnik, përmes gjuhës së urrejtjes së zyrtarëve të lartë, inkurajon diskriminimin, radikalizimin etno-politik dhe potencialisht çon në dhunë.
“Retorika e përdorur nga ministri Vulin në fjalimin e tij është e njëjtë me atë të përdorur nga mediat dhe zyrtarët gjatë viteve ’90, për të dehumanizuar popullatën shqiptare dhe për të nxitur ngacmimet, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe në fund krimet e luftës në Kosovë”, kanë theksuar në deklaratë organizatat joqeveritare.
Kjo deklaratë e përbashkët është nënshkruar nga organizatat relevante nga Serbia dhe Kosova, si dhe profesoresha e Universitetit të Beogradit, Jelena Lonçar dhe aktivistët për të drejtat e njeriut, Rrahim Salihi, Valon Arifi dhe Vjollca Arifi.
Grupi punues i Konventës kombëtare të Serbisë për Bashkimin Evropian për kapitullin 35, më 26 ma ka dënuar qasjen publike ndaj shqiptarëve, të ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dërgon rregullisht komunikata për media, të nënshkruara nga ministri Vulin, në të cilat përdoret një term përçmues për shqiptarët. Që nga fillimi i vitit 2021, në faqen e Ministrisë së Punëve të brendshme të Serbisë, mund të gjenden më shumë se dhjetë njoftime që përmbajnë këtë shprehje përçmuese./ REL/