Operacioni i Ramës për të ringjallur Berishën, për ta ngritur në këmbë dhe për ta mundur sërish!

0
433
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA POLI HOXHA

Në ndeshjet e trukuara të boksit, ndodh shpesh që fitorja dhe humbja e kontrolluar të dalë jashtë kontrollit, duke e tejkaluar masën në dëme.

Përpara ndeshjes, boksierit i cili është emëruar për tu mundur, i rriten kuotat në maksimum duke krijuar opinionin e rremë, se ai është sfidues i denjë dhe ka shumë gjasa për të “fituar”.

Deri në momentin e nisjes së ndeshjes piaristët e “sfidës së madhe” bëjnë sikur sulmojnë fituesin e paracaktuar, e konsiderojnë atë të mbaruar dhe të dobët, kurse sfiduesin si të vetmin që mundet ta rrëzojë në ring.

E gjitha kjo bëhet që organizatorët e basteve të fitojnë sa më shumë, kurse bastvënësit të mendojnë se ndeshja do të jetë e fortë, madje fitorja e sigurt, por edhe në rast humbje, “kokë më kokë”, të shpresojnë pafundësisht se në ndeshjen tjetër, do të fitojnë duke i vendosur aksionet te i njëjti lojtar i dobët, i cili në fakt është thjesht një humbës i mbaruar dhe i paracaktuar.

Në të gjithën këtë, organizatorët e vërtetë që zakonisht qëndrojnë në hije dhe që kanë investuar farsën, fitojnë pjesën e luanit. Madje përhapin fjalë se edhe ata vetë, bastin e kanë vendosur te sfiduesi që “e ka fitoren të sigurt”. Në fakt kanë bërë të kundërtën, duke vazhduar vetëm të fitojnë.

Natyrisht që edhe “fituesi” me humbësin ngelen në biznes dhe të fituar. Piaristët, pra ata që bëjnë propagandën se ndeshja do të fitohet nga lojtari i cili ka jo vetëm rolin e kukullës, por edhe është shpërblyer që të humbasë duke bërë rolin e sfiduesit “fitues”, marrin gjithashtu pjesën e tyre. Të vetmit që humbasin janë ata që investohen dhe vendosin bast te “fituesi” humbës si qorra, naivë dhe të hipnotizuar.

Kjo është ajo që ka ndodhur faktikisht me “ndeshjen” elektorale të 14 majit. Në ring ishte Edi Rama me Sali Berishën me gjithë ndihmësit e tyre në stol, kandidatët e bashkive. Kurse organizatorët e vërtetë të ndeshjes së trukuar dhe përfituesit e mëdhenj të rezultatit, janë oligarkët dhe kokat e krimit të organizuar që i mbajnë në ring dhe në lojë që të dy. Sali Berisha pas dërrmimit që mori, për herë të parë po përmend fjalën oligarkë, gjithsesi pa guxuar që të shqiptojë emra të përveçëm. Këtë po e bën vetëm për faktin se atyre u doli situata nga kontrolli dhe hëngri dru, më shumë se sa kishin rënë dakord!

Kurse piaristët janë mediet, televizionet, portalet, analistët dhe gazetarët që përfitojnë gjithashtu nga kjo sfidë e sajuar dhe luftojnë që ajo të vazhdojë pafundësisht. Këta që mbrojnë, kurojnë dhe u ngrenë alibi deri idiote për Berishën dhe Metën si “fitues të vetëm” kur janë humbës të paracaktuar, po ti shohësh emër për emër, “rastësisht” dalin shumë të pasur, me vila, sekserë lejesh ndërtimi dhe në borderotë e dyfishta të oligarkëve të përbashkët të Ramës dhe Berishës.

Por ashtu siç e thamë më sipër, në këto skema ndodh që trukimi, fitorja dhe humbja e kontrolluar, të dalë jashtë kontrolli. Fituesi i paracaktuar nën efektin e adrenalinës jep grushte vrastarë më shumë se sa ishte planifikuar dhe humbësi, katandiset keq e më keq dhe bëhet për reanimacion.

Këtu ngrihet alarmi, sepse vihet në dyshim dhe në rrezik vazhdimësia e biznesit. Ndaj pas kësaj, nis menjëherë operacioni i kurimit të dëmeve që ka marrë “fituesi” humbës sepse biznesi duhet të vazhdojë me “ndeshje”, baste dhe fitime të tjera.

Kështu të gjithë këta me Edi Ramën në krye, e kanë marrë Sali Berishën e cofur e në gjysmë koma pas 14 majit dhe e kanë shtrirë në tavolinën e reanimacionit. Dëmi është i madh; Koka, (Tirana, Durrësi, Elbasani), është bërë përshesh. Gjoksi, (Shkodra, Tropoja, Kukës), është dërmuar me fraktura të paimagjinueshme. I gjithë trupi, këmbët, krahët, (Shqipëria nga Konispoli në Vermosh), është kthyer në një frakturë të madhe që s`ka allçi që ta ngjisë.

Por pavarësisht se të gjithë e shohin se Sali Berisha është një lojtar i moshuar dhe i rrënuar i cili duhet të dalë në pension dhe të shohë ca ditë të paqta pranë familjes, ata nuk kanë mëshirë. Organizatorët e farsës së bashku me Edi Ramën, nëpërmjet medieve, analistëve dhe komisarëve të punësuar në këtë skemë, kanë nisur që ti bëjnë masazh dhe frymëmarrje artificiale për ta hedhur sërish në luftë, edhe pse nuk i mbajnë më as këmbët.

Gjithashtu i kanë vënë maskën e oksigjenit, e shpojnë me shiringa adrenaline dhe e fashojnë. Kurse aty ku mishi dhe kockat nuk rikuperohen më, po e trukojnë me makjazh…Gjithçka bëhet për ta ngritur në këmbë dhe ta bëjnë gati që ta fusin sërish në ring, si “sfidues i vetëm dhe fitues”, në një ndeshje e cila ka një mbyllje gjithmonë të paracaktuar.

Është mizore në fakt kjo që po i bëjnë oligarkët, familjarët dhe Rama një njeriu në moshë të Sali Berishës. Shumë habiten, kurse të tjerë ndiejnë keqardhje dhe mëshirë. Por kushedi se çfarë arsye madhore apo mision ka që nuk tërhiqet edhe pas këtij dërrmimi, edhe pse ndoshta është shumë vonë për të ndryshuar fatin e emrit të tij, në historinë e PD-së dhe të Shqipërisë.

Gjithsesi, shumica e shqiptarëve, opozitarëve dhe demokratëve e kuptuan skemën dhe nuk u përfshinë fare në përballjen e trukuar. E panë ndeshjen nga televizori. Me nënqeshje, përbuzje, neveri, urrejtje për organizatorët dhe dy “boksierët”. Edhe me keqardhje, për ata që u investuan të majtë e të djathtë qofshin.

Ata që humbën po flasin me vete dhe janë të trullosur, sepse po shohin se mirëqenia e familjeve dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre në këtë vend janë në dorë të një loje me të njëjtët lojtarë, të cilët nxjerrin pafundësisht të njëjtin rezultat. Një përfundim dhe vazhdimësi pas të cilës përveç atyre të dyve dhe organizatorëve, të gjithë shqiptarët dalin humbës tragjikë.

Kjo është situata; kriminale, e trishtuar dhe në pamje të parë disfatike. Por shpresa për Shqipërinë nuk vdes kurrë, e vrarë nga një pakicë makute e korruptuar deri në palcë. Autorët dhe lojtarët e kësaj skeme janë në pritje që të japin llogari përpara SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, për mashtrimin dhe grabitjen e madhe që kanë bërë me këtë trukim 32 vjeçarë. Paralelisht duhet zhbërë skema që ngriti Rama dhe Berisha në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese duke rikthyer zgjedhjet e lira dhe çliruar votën.

Dhe që sot, të gjithë ata që u kanë qëndruar përballë, i kanë demaskuar dhe mëtojnë Shqipërinë perëndimore, duhet që të themelojnë opozitën që po pret shumica e shqiptarëve./Alfapress.al

Zjarr Tv Ad