Konferenca e Kryetareve pritet të mblidhet ditën e nesërme, të premte lidhur me çështjen e Arben Ahmetajt.
Edhe pse ishte parashikuar për ditën e hënë, mazhoranca ka pranuar kërkesën e opozitës që seanca e posaçme për çështjen e Ahmetajt të mbahet ditën e premte në orën 10:00.
Që prej fillimit të seancës së sotme plenare, opozita kërkoi që çështja e Ahmetajt të futej sot në rendin e ditës. Pas shumë debatesh në sallë si duket mazhoranca u tërhoq dhe vendosën që seanca për votimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahemtaj të mbahet nesër, ku do të paraqiten dy raporte.
Ditën e djeshme Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakort lidhur me arrestimin e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesës së tij, duke qenë kështu pro heqjes së imunitetit të deputetit.
Katër ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i dorëzoi Kuvendit kërkesë për arrestimin e Arben Ahmetajt. SPAK kërkoi “dritën jeshile” nga Kuvendi për arrestimin e Ahmetaj, i cili është në hetim për aferën e inceneratorëve. Prokuoria e Posaçme kërkon arrestimin e deputetit dhe ish-zëvendëskryeministrit pasi janë ngritur katër akuza për të, përkatësisht: shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.