Opozita sërish në rrugë, policia rrethon Kryeministrinë

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Opozita do të mbushë sot sërish Tiranën me mbështetësit e saj për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë e për zgjedhje të lira me moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. 1700 forca policie do të jenë në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë.  Efektivët e policisë janë vendosur gardh rreth Kryeministrisë, ndërsa janë mbuluar me dritaret dhe dyert e institucionit. Kryeministri Edi Rama ka ftuar disa herë kundërshtarin e tij politik në tryezën e dialogut, por lideri i PD-së, Lulzim Basha duket se është i vendosur në kauzën e tij. Në mënyrë të përsëritur shefi i ekzekutivit iu drejtua Bashës me katër letra publike duke i kërkuar dialog pa kushte, pasi siç pohonte mes tjerash kryeministri, koha nuk pret sepse 30 qershori po afron. Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh  në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.

Këtë të shtunë opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë  kombëtare përpara godinës së kryeministrisë në orën 19:00, e cila sipas drejtueseve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.

Ndërkohë ende nuk ka detaje për formën se si do të organizohet  dhe sa do të zgjasë kjo protestë, por ndërkohë dje lideri demokrat nga Mati, teksa i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë i dërgoi një tjetër mesazh kryeministrit se nuk ka asnjë hap pas në synimet e opozitës, pavarësisht thirrjeve të Ramës përmes letrave për dialog pa kushte.

Por duket se ‘ujërat’ politikë në vend disi janë trazuar pas apelit të koalicionit gjerman  CDU/CSU, i cili përmes një deklarate për mediat ftoi partitë në Shqipëri të ulen në dialog dhe të diskutojnë për të gjitha temat, pa përjashtuar edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershori.

Në të njëjtën gjatësi valë u vendos edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili dje dha një mesazh të fortë duke theksuar se është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin, me qëllim që palët të gjejnë zgjidhje  për krizën ku ndodhen aktualisht vendi. Gjithashtu kreu i shtetit theksoi se do të jetë i hapur të dekretojë një tjetër datë për zgjedhjet lokale, ndërsa iu bëri apel palëve që të jenë më të përgjegjshme dhe të shohin me përparësi  interesat kombëtare të vendit.

 

Zjarr Tv Ad