Kreu i PD-së Lulzim Basha nuk i ka kursyer kritikat edhe për ish zv/Kryeministrin Erion Braçe, i cili jo rrallë herë nuk ka nguruar të ngrejë zërin për rritjen e çmimeve në Shqipëri.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Lulzim Basha deklaroi se Braçe kur ishte zv/Kryeministër shante qeverinë në Facebook në darkë, por ditën firmoste koncesionet në mungesë të Ramës.
“Kur ikën nga salla të dy, lanë atë firmosësin e koncesioneve që ka firmosur të gjitha koncesionet kur ishte zëvendës kryeministër. Ditën firmoste koncesionet, natën shante qeverinë në ‘Facebook’, e dini vetë për kë bëhet fjalë dhe doli ai tha taksën e ka vendosur qeveria e PD.
Nuk është e vërtetë.
Taksa e qarkullimit me vërtetë është zhvendosur nga pulla tek litri i karburantit, por ka qenë 7 lekë, 8.4 përfshirë TVSH. Kemi bërë protesta ne, kemi ndalur makinat. 65% e çmimit të çdo litri karburant shkon për qeverinë. Ky është i vetmi shpjegim pse karburanti këtu është më i shtrenjtë këtu se në Kosovë e Maqedoni e Veriut. Sepse qeveria vjedh para nga xhepat e qytetarëve dhe nuk i çon tek qytetarët”, tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, shkaku kryesor pse karburanti është më i shtrenjtë në Shqipëri është taksa ‘Rama’, 240 lekë për litër.
Basha argumentoi se përse karburanti tani është shumë më i shtrenjtë se në vitin 2013 kur PD qeveriste.
“Edhe në parlament dje e patë që tha sa ishte çmimi në 2013. Kur vjen puna për të justifikuar rritjen që ai i bën çmimit të energjisë thotë e rritën tregjet ndërkombëtare. Kur vjen puna për t’u krahasuar me 2013 i harron tregjet ndërkombëtare. Në 2013 çmimi i naftës në bursë ka qenë 110 dollarë fuçia, sot është 79. Pse është më e shtrenjtë nafta, benzina, karburanti shqiptar.
Arsyeja kryesore është taksa Rama, 240 l/litër. 100 lekë i shtoi në janar 2014, plus 20% TVSH. 100 lekë i shtoi në janar 2015 plus 20% TVSH. 240 lekë për litër. E paguajnë të gjithë. Dje vetëm këtë çështje nuk e trajtuan as ai, as zëdhënësi i tij”, tha Basha.