Osmani në takimin me Lajçak: Dialogu me Serbinë nuk duhet të prekë territorin e Kosovës

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk duhet të prekë rendin kushtetues dhe territorin e Kosovës.

Këtë deklaratë ajo e bëri sot gjatë një takimi në Prishtinë me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”, thuhet në një njoftim të presidencës.

Sipas njoftimit, Lajçak ka thënë në takim se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm, shkruan REL.

Në takim është diskutuar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i cili zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Presidentja ka theksuar se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe po zbaton marrëveshjet e arritura duke e akuzuar Serbinë se nuk po e bën një gjë të tillë.

Mirëpo edhe pala serbe ankohet në atë të Prishtinës për moszbatim të marrëveshjeve, në veçanti atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Zjarr Tv Ad