Pa radhë dhe duke shtyrë njëri-tjetrin me bërryl, qytetarët nisin të udhëtojnë me urban

0
7

Vëzhgim/ Rinis transporti publik. Frika nga virusi përgjysmon kapacitetet, por nuk ndryshon sjelljet e qytetarëve. Shoferët dhe fatorinot ndajnë me “Shekulli”-n frikën dhe problematikat e ditës së parë

Kjo e hënë, shënoi rifillimin e transportit publik, pas afro 4 muajsh pezullim për shkak të epidemisë. Me 70% të kapaciteteve, maska, doreza dhe shumë frikë, qytetarët mëngjesin e kësaj të hëne shkuan në destinacione me transportin urban. Në stacionin kryesor të rrugës së Elbasanit, ku kalon linja e “Unazës së Re”;  “Tregu Elektrik”; “Uzina e Autotraktorit” etj, qytetarët ishin me maska dhe në distancë nga njeri-tjetri. Ajo që binte në sy, ishte edhe distanca e fatorinos në momentin që mblidhte biletat. Në hyrje të çdo urbani, ishte i vendosur dezinfektanit dhe dritaret qëndronin të hapura, për të siguruar ajrosjen e nevojshme.

Linjat

Në qendër të kryeqytetit, aty ku grumbullohen disa linja, siç është ajo e Kamzës, Yzberishtit, Kombinati, Tirana e re, situata paraqitet më e populluar. Pothuajse çdo linjë ishte e mbushur nga qytetarë. “Jemi të frikësuar se jemi edhe të moshuar, por pa urban nuk shkonin dot në asnjë vend. Siç më sheh, maskën nuk do e heq sa të shkoj në shtëpi. Frikë kemi, se i rrezikshëm është, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Jeta vazhdon sido që të jetë. Mjafton të respektojmë rregullat dhe  mund t’ia dalim”, tha një qytetare, e cila priste në stacion për të shkuar në Kombinat. Një ndër linjat e cila, duket se ka kaluar 70% të kapaciteteve është ajo e “Tiranës së Re”. Të gjitha sediljet janë të mbushura dhe një pjesë e tyre qëndrojnë në këmbë. Shpërfillëse në këtë linjë janë edhe maskat, ku nuk janë vendosur nga qytetarët edhe pse janë e vetmja armë që i mbron në një ambient të tillë.

Shoferët

Shoferët e linjave se në ditën e parë të punës, nuk kanë punuar as me 50% të kapaciteteve. Sipas tyre, vazhdon ende frika dhe njerëzit preferojnë të ecin në këmbë, ashtu siç kanë bërë gjatë kësaj periudhe. “Sa të mësohen njerëzit, kështu do jetë. Edhe pse e kanë patur të nevojshme rikthimin e urbanit, sot numri ka qenë shumë i vogël. Nuk e dimë nëse në ditët në vazhdim do jetë kështu apo jo. Kemi katër muaj që nuk kemi punuar dhe nisa ka patur një sektor mjaft të prekur nga kjo situatë kemi qenë ne”, thotë Ervini, shofer i linjës së Kombinatit. Fatorino i kësaj linje, Petrit thotë  se me frikë ka dalë sot në punë, por nuk ka një zgjidhje tjetër. “Frikë është, se rastet po shtohen çdo ditë, këtu hipin e zbresin lloj-lloj. Mbase nuk e kemi risk të prekemi, se jemi edhe me fëmijë të vegjël. Nuk besoj se ka më të rrezikuar se ne fatorinot. Jemi në kontakt me çdo njeri, biletat, lekët, por ca të bëjmë, duam të hamë.  Pa punë, s’ka bukë”-, thotë ai.

Pagat

Të pyetur mbi pagat e luftës nëse i kanë marrë dhe a ka detyrime të tjera shteti ndaj tyre, ata thonë se janë në pritje të pagës së fundit. “Pagën e fundit nuk e kemi marrë. na kanë premtuar se do na i japin por të shohim. Me aq sa dimë ne, do jepet këto ditë. Bashkia dhe linjat kanë rënë në një marrëveshje edhe për këtë pjesë. Po ashtu, dimë që mungesën e kapaciteteve, do e kompensojë bashkia me karburant. Por deri më tani këto janë me fjalë”, thotë Ervini. Ndërkohë, të pyetur për mundësinë e rritjes së çmimit të biletës, ata thonë që nuk deri më tani është diskutuar, por kurrsesi nuk mendojnë se është një zgjidhje e mirë.

Stacioni

Pritjet në stacion janë të gjata dhe ardhja e urbaneve sipas orarit të caktuar, nuk u zbatua as në ditën e parë. Edhe pse brenda urbanit përpiqen të qëndrojnë larg njëri-tjetrit, në hyrje dhe dalje një gjë e tillë nuk vihet re. Në stacionin kryesor, pranë Tregut Çam, njerëzit u panë duke shtyrë njëri-tjetrin. Kush do zinte sediljen i pari dhe kush do zbriste i pari, ishte serish një sjellje e cila ndodh gjithmonë në stacion. Në këtë aspekt, duket se pandemia nuk i ka frikësuar. “Nxitojmë, se jemi për punë. Si gjithmonë, këta nuk i respektojnë oraret, vijnë e ikin kur të duan”, tha një qytetare, të cilën e pyetëm, teksa zbriste nga urbani i “Vilave Gjermane”.

Gjobat

Një masë e cila do i detyroj qytetarët të respektojnë rregullat janë edhe gjobat. Me hyrjen e rregullores së re ditën e shtunë (4 korrik) gjobat për mosrespektim të masave do të shkojnë direkt tek qytetarët ose tek punonjësit. Autobusët do të pastrohen në parkingjet e operatorëve pas orës 12 të natës nën monitorimin e punonjësve të Bashkisë me gjithë solucionet anti-covid. Kujtojmë që Shoqata e Transportit Publik refuzoi të nisë punën, pasi hartoi 4 kërkesa. Heqja e akcizës së naftës, ulja e TVSh-së në vlerën 6 për qind në shitje, rimbursimi i kapaciteteve të munguara si pasojë e ndryshimit të protokollit anti-covid dhe rimbursimi i të gjithë shtresave në nevojë pa pagesë.