Mjekja Silva Bala ka reaguar, lidhur me denoncimin e bërë ditën e sotme nga një ish-pacient me Covid, i cili akuzoi stafin e Senatoriumit se nuk i trajtojnë mirë pacientët e shtruar dhe nuk u japin ushqim mjaftueshëm.
Bala tha për News 24 se ky lajm është i pavërtetë dhe sipas saj, denoncimi ka “qëllime të tjera”. Më tej, ajo shtoi se ditën e hënë do të bëhet kallëzim në prokurori për këtë denoncim, për t’ia lënë në dorë organit të akuzës hetimin e mëtejshëm.
“Nuk është e vërtetë kjo gjë. Ju keni hyrë dhe i keni parë këto spitale, i keni parë dhe ça pune e shërbimi iu bëhet të sëmurëve. Nuk e kuptoj sesi një ish i sëmurë në trajtim me oksigjen arrin të konstatojë këto të dhëna. Janë shkrime të gënjeshtërta dhe bëhen me qëllim. Nuk dua të ngre dhe të aludoj për këtë pacient.
Është një i sëmurë që i është shërbyer dhe ka dalë nga spitali pasi është shëruar, jo para kohe.
Pyetje: A ka patur probleme psikologjike?
Bala: Nuk kam konstatuar. Nuk ka pasur nevojë të konsultohet me mjekë psikiatër. Ai ka dalë nga spitali me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Ky lajm nuk i bën mirë popullit në këto momente. Aty shërbehet dhe pastrohet. Këtë denoncim do të procedojmë në prokurori dhe të merret prokuroria me këto mesazhe.