Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 2 mars padinë e bërë nga Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili ishte kundër masave kufizuese për shkak të Pandemisë.
Mësohet se Partia Republikane ka çuar në Gjykatën kushtetuese vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët në muajin dhjetori të 2020 morën një sërë masash kufizuese mes të cilave ishte edhe ndalimi i grumbullimit në më shumë se 10 persona në ambiente të hapura apo të mbyllura , ceremonitë e festave, ceremonitë martesore e mortore, përfshirë edhe konferencat, tubimet dhe mbledhjet partiake.
Në padinë e depozituar, republikanët vlerësojnë se vendimi për të ndaluar takimet partiake dëmtojnë opozitën në prag të fushatës dhe favorizojnë Partinë Socialiste, kryetari i së cilës është Kryeministri i vendit, i cili lejohet të marre pjesë në aktivitete publike duke krijuar në këtë mënyrë pabarazi në garë elektorale.
Republikanët janë njoftuar përmes një shkresë se Gjykata ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e tyre më 2 mars.